Selmani: E refuzova ftesën muajin e kaluar shkak lëndimi, mund ta mposhtim Rumaninë
Sulmuesi Astrit Selmani që po shkëlqen në kampionatin rumun e ka bërë të qartë se Kosova kërkon vetëm fitore në Bukuresht.
Selmani nuk u ftua nga përzgjedhësi Franco Foda për dy ndeshjet e nëntorit, ndërsa i ka paralajmëruar rumunët se “Dardanët” vijnë vetëm për fitore.
Në një intervistë së fundmi për “digisport.ro”, Selmani tha se Rumania duhet t’i frikësohet Vedat Muriqit sepse është shumë i rrezikshëm brenda zonës.
“Do t’i takoj lojtarët e Kosovës. Janë miqtë e mi dhe dua t’i mbështes. Është ndeshje e rëndësishme për dy skuadrat. Rumania është më e qetë falë rezultateve. Mysafirët duhet të sulmojnë. Për Kosovën mund të jetë makth, ose mund të zhvillojnë lojë të mirë”.
“A mundet Kosova ta fitojë grupin? Po. Besimi është i lartë. Ata vijnë këtu për të fituar, t’i marrin pikët. Çdo gjë është në duart e Rumanisë por gjithçka është e mundur dhe kanë besim”.
“Ishte befasi për të gjithë në shtet, kur Rumania fitoi 3:0. Mendova se ishim favoritët dhe do të fitonim, ndoshta e nënvlerësuam Rumaninë. Për mua, Rumania është ekip i mirë”.
“A je i zhgënjyer që nuk je i ftuar? Sigurisht jam i zhgënjyer. Isha në listën paraprake (të muajit tetor), por e refuzova ftesën. Isha pak i lënduar dhe doja të rikuperohesha për Dinamon. Këtë herë zgjodhën lojtarë të tjerë, kështu funksionon futbolli”.
“Cili lojtar i Rumanisë të pëlqen? Nuk më kujtohet emri, por qendërmesfushori, numri 6. Marius Marin, po. Më pëlqeu mënyra si luajti, e di që shumica e pëlqejnë Dennis Man, por në ndeshjen ndaj Kosovës, Marin u mbrojt mirë”.
“Nga kush duhet Rumania të frikësohet? Vedat Muriqi. Ndonjëherë thua se nuk është në lojë, por është shumë i rrezikshëm në zonë. Me kokë, ai është ndër më të mirët në Evropë”.