Schweinsteiger: Ëndrra e madhe e Alonsos është të bëhet trajner i Liverpoolit
Ish ylli i Bayern Munichut Bastian Schweinsteiger thotë se trajneri Xabi Alonso e ka ëndërr ta drejtojë Liverpoolin.
Muajin e kaluar, Jurgen Klopp shokoi botën e futbollit duke njoftuar se do të largohet në fundin e sezonit nga “Anfield”, pas nëntë viteve.
Klopp deklaroi se “ka mbetur pa energji”, kësisoj Liverpool ka nisur punën për ta gjetur pasuesin me Alonson, që vlerësohet si ndër favoritët falë punës së mrekullueshme që po bën te Leverkuseni.
Ish bashkëlojtari i tij Schweinsteiger ka paralajmëruar se Alonso nuk do ta mendojë dy herë, nëse i ofrohet shansi pasi e ka ëndërr drejtimin e gjigantit anglez.
“E njoh Xabin dhe mendoj se ëndrra e tij e madhe është ta drejtojë Liverpoolin”.
“Mundem që tashmë të imagjinoj se në këtë verë do të shkojë te Liverpooli”, tha për gazetën gjermane “ADR”.
Ndërkohë, Alonso deri më tani ka qenë i qetë për këto spekulime duke deklaruar se është plotësisht i fokusuar te Leverkuseni.
“Spekulimet janë normale, por fokusi im është te Leverkuseni. Jam shumë i lumtur me lojtarët. Sigurisht, largimi i Kloppit ishte befasi e madhe. Kam respekt dhe admirim për çfarë ka bërë”.
I pyetur nëse mund ta mohojë që është kandidat, Alonso shtoi: “Sinqerisht, nuk kam përgjigje direkte. Jam i lumtur këtu, kjo është e sigurt dhe mendoj vetëm për Leverkusenin”.