Saka “betohet” të rikthehet më i fortë pas operimit
Sulmuesi i Arsenalit Bukayo Saka iu ka premtuar tifozëve se do të kthehet edhe më i fortë pas operimit në këmbë, që do ta mbajë jashtë fushës përreth dy muaj.
23-vjeçari u dëmtua në fitoren e thellë të Arsenalit 5:1 ndaj Crystal Palace më 21 dhjetor.
“Shumica shohin pengesat, por pak i shohin mundësitë. Rikuperimi ka nisur dhe do të kthehem edhe më i fuqishëm”.
“Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja”, shkroi ai në “Instagram”.
Ishte trajneri Mikel Arteta i cili të premten njoftoi se Saka është operuar në këmbë shkaku i lëndimit.
“Ai është operuar. Gjithçka shkoi mirë, por fatkeqësisht do të mungojë për shumë javë. Po them shumë jave, por mendoj se do të jetë për mbi dy muaj”.
Padyshim që mungesa e Sakas do të jetë humbje e madhe për “Topçinjtë”, të cilët renditen në pozitën e dytë në Premierligë, gjashtë pikë prapa Liverpoolit.
Këtë sezon, Saka ka kaluar një formë fantastike duke regjistruar nëntë gola dhe 13 asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat.