Rusia i kërkon UEFA-s ta dënojë trajnerin e Ukrainës për komentet rreth luftës
Rusia i ka bërë thirrje UEFA-s ta pezullojë nga futbolli trajnerin e Kombëtares së Ukrainës, Oleksandr Petrakov, i cili e shprehu dëshirën për të luftua r kundër forcave pushtuese të Vladimir Putinit.
Federata e Futbollit e Rusisë (FFR) i ka shkruar letër shtëpisë së futbollit evropian, në të cilën e akuzon Petrakovin për diskriminim kundër rusëve dhe mungesë neutraliteti politik.

Denis Rogachev, zëvendëssekretar i përgjithshëm i FFR-së, i citoi komentet në dy gazeta – Corriere dello Sport në Itali dhe Sport Express në Rusi – si dëshmi për fajin e Petrakovit.
Në një letër drejtuar UEFA-s, Rusia e akuzon Petrakovin për shkeljen e kodit të sjelljes duke bërë thirrje që rusëve t’iu ndalohet pjesëmarrja në sporte ndërkombëtare dhe duke shprehur dëshirën për t’iu bashkuar forcave të armatosura.
Komentet për të cilat po akuzohet Petrakov, ishin bërë në prill gjatë një interviste me Guardian. Ato ishin publikuar edhe në Correire dello Sport më pas.
“Mendoj, nëse ata vijnë në Kyiv, do ta kap armën dhe do ta mbroj qytetin tim”, kishte thënë Petrakov.
“Unë jam 64 vjeç, por ndiej se është normale ta bëj këtë. Mendoj se mund t’i vras dy a tre armiq”, kishte nënvizuar ai.

Petrakov, tani 65 vjeç, tha në intervistë, e cila u bë në Kyiv në kohën e luftimeve të ashpra, se kishte pas biseduar me një anëtar të qeverisë së Ukrainës pak pasi Rusia e kishte pushtuar vendin, për t’ia shprehur dëshirën për t’iu bashkuar forcave tokësore. Ai ishte këshilluar se në moshën e tij dhe me mungesën e përvojës ushtarake, një veprim i tillë nuk ishte i mençur.
FFR-ja pretendon se komentet e bëra nga Petrakov i shkelin kodet e FIFA-s dhe UEFA-s, të cilat e ndalojnë çfarëdo lloj diskriminimi kundër një vendi tjetër dhe kërkojnë që futbolli të promovohet në frymë të paqes.
