Trajneri i Ukrainës: Jam 64-vjeçar, por mund t’i vras dy a tre armiq
Oleksandr Petrakov është ukrainas krenar dhe ka vendosur të mos e braktisë atdheun e vet pas pushtimit rus, duke thënë se, megjithëse i shtyrë në moshë, është në gjendje t’i heqë qafe dy apo tre armiq.
Në moshën 64-vjeçare dhe me një punë që i kërkon përqendrim të plotë në çështje sportive si trajner i Kombëtares së Ukrainës, Petrakov shprehu gatishmëri t’i bashkohet ushtrisë në luftë kundër forcave të Vladimir Putinit kur bombat nisën të bien nga qielli mbi vendlindjen e tij.
Familja i kishte bërë thirrje të largohej nga vendi pas fillimi të pushtimit rus në Ukrainë, por Petrakov nuk deshi ta braktisë atdheun për asgjë në botë.
Duke folur për The Guardian, Petrakov tha: “Familja më kërkoi të shkoja në perëndim të Ukrainës, por unë nuk pranova. Unë iu thashë atyre: ‘Jam nga Kievi, nuk mund të largohem’”.
“Mendoj se nuk do të ishte e drejtë, sepse njerëzit duhet të mbrohen e unë nuk mund t’ia mbath. Thashë se, nëse ata vijnë në Kiev, unë do ta kap armën në dorë dhe do ta mbroj qytetin tim”, nënvizoi ai.
Ai shtoi: “Unë jam 64-vjeçar por ndjeva se ishte normale për mua ta bëj këtë. Mendoj se mund t’i vras dy apo tre armiq”.
Futbolli në Ukrainë është pezulluar për kohë të papërcaktuar, por ndeshja e Kombëtares së udhëhequr nga Petrakov në play-off për Kupën e Botës kundër Skocisë do të zhvillohet në qershor.
Përgatitjet për këtë ndeshje nuk janë nisur ende, sepse është pothuajse e pamundur të planifikohet ndonjë seancë stërvitore derisa kërcënimi për sulme ushtarake është i vazhdueshëm në këtë vend. Plani për ta bërë këtë në perëndim të Ukrainës ka dështuar tani për tani.
“Ka granatime edhe në perëndim të Ukrainës. Dhe nëse dikush thotë se kampi stërvitor i ekipit kombëtar ka nisur, armiku mund të na granatojë neve. Këta njerëz nuk kanë moral as parime, prandaj ne nuk mund t’i rrezikojmë lojtarët tanë. Rusët nuk janë vëllezërit tanë, ata janë hordhi.”
Nëse Ukraina e mposht Skocinë në gjysmëfinale, atëherë do të përballet me Uellsin për një vend në Kupën e Botës 2022.