Rusia drejt largimit nga UEFA për t’iu bashkuar Konfederatës Aziatike - NACIONALE

Rusia drejt largimit nga UEFA për t’iu bashkuar Konfederatës Aziatike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Rusisë (FFR) do të mbajë një takim të premten për të biseduar për largimin nga UEFA – organi qeverisës i futbollit evropian – në mënyrë që t’i bashkohet Konfederatës së Futbollit të Azisë.

Të gjitha klubet dhe ekipet kombëtare të Rusisë u pezulluan nga garat e futbollit të FIFA-s dhe UEFA-s në shkurt, pas pushtimit rus të Ukrainës dhe, meqë lufta në Ukrainë po vazhdon, pezullimi mbetet në fuqi.

Por me gjithë pezullimin global ndaj ekipeve të veta në të gjitha garat për klube dhe ndërkombëtare, federata ruse beson se ekipet ruse do të lejohen të garojnë nëse FFR-ja i bashkohet konfederatës aziatike dhe garon si pjesë e saj.

Në realitetet e tanishme gjeopolitike, prania e FFR-së në UEFA është në kundërshtim me interesat nacionale të Rusisë”, ka thënë Roman Teryushkov, zëdhënësi i parlamentit rus.

Është e pamundur të ndërtohen miqësi sportive me vendet jomiqësore ndaj nesh dhe me ngacmimin e vazhdueshëm nga Perëndimi”, shtoi ai.

Një takim ishte mbajtur në Moskë më 23 dhjetor për të biseduar për mundësinë e kalimit nga UEFA në Azi, dhe sipas ESPN, vendimi përfundimtar mund të merret nga komiteti ekzekutiv i FFR-së të premten më 30 dhjetor.

Gati 75 për qind e tokës ruse ndodhet brenda Azisë.

Sipas ESPN-së, UEFA është duke e vëzhguar situatën dhe po pret që Rusia ta qartësojë vendimin e vet.

Rusia është njëri prej 55 anëtarëve të UEFA-s dhe pritej të ishte nikoqire e finales së Ligës së Kampionëve 2022 në Shën Petersburg, por ndeshja u zhvendos në Paris si pasojë e pushtimit të Ukrainës.

Asnjë vend deri më sot nuk ka dhënë dorëheqje nga UEFA, por ka një rast precedent që Konfederata Aziatike të pranojë vende jashtë konfederatës së vet.

Australia tani garon si vend aziatik pasi iu bashkua kësaj konfederate në vitin 2006, kur dha dorëheqje nga Konfederata e Futbollit të Oqeanisë.

Lajme të ngjashme