Ronaldo pushon spekulimet, rikthehet në stërvitje me Manchester United - NACIONALE

Ronaldo pushon spekulimet, rikthehet në stërvitje me Manchester United

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Korriku ka qenë muaji në të cilin një protagonist ka mbushur faqet e të gjitha gazetave botërore: Cristiano Ronaldo. Arsyeja? Largimi potencial. Sot, ai iu bashkua "djajve të kuq" në fazë parapërgatitore.

Edicioni i ri i Premierligës fillon pas gjashtë ditësh. Kur numërimi mbrapsht ka filluar, edhe Ronaldo njëkohësisht filloi të rezonojë dhe ta ridefinojë pozicionin e tij.

Pasi u kthye në Manchester United gjatë verës së vitit të kaluar, ylli portugez nuk hasi në rezultatet e pritura, pasi nuk ia doli dot që me skuadrën ta përfundonte sezonin qoftë edhe në njërin prej vendeve që shpijnë në Ligën e Kampionëve, i cili është kompeticioni më i dashur nga ai.

Kjo situatë e re, me Manchester United që në këtë edicion të ri do të mjaftohet me Ligën e Evropës, nuk i ka shkuar përshtati aspak 37-vjeçarit. Ai ka kërkuar që të largohet drejt një destinacioni të ri, ku do të mund të luante në Ligën e Kampionëve, për të arritur rekorde dhe suksese të reja, të cilat i mungojnë akoma.

Pas një muaji mungesë, rikthimi në skuadër

Me arsyetimin se kishte probleme "private dhe familjare", Cristiano Ronaldo mungoi që nga java e parë e muajit korrik në grumbullimet e Manchester United me trajnerin e ri të saj, Erik ten Hag.

Klubi e mirëkuptoi pozicionin e tij dhe nuk është se ndërmori ndonjë hap disiplinor për ta ndëshkuar portugezin. Ndërkohë, përditshmërisht flitej një largim i tij, por klubet e ndryshme evropiane, nga Bayern deri te Chelsea dhe PSG, ia mbyllën dyert, me justifikime prej më të ndryshmeve.

Për dikë mosha ishte problem, për dikë paga vjetore, për dikë mospërputhja me filozofinë e lojës së skuadrës gjegjëse. Me pak fjalë, trokiti çdo kund dhe u përzë gjithandej.

Për më shumë se tri javë, Manchester United luajti disa miqësore rresht dhe aty pari nuk figuroi asgjëkundi Cristiano Ronaldo.

Ai tek dje paralajmëroi rikthimin në fushë kundër Rayo Vallecano, ndeshje miqësore që do të luhet nesër.

Ndërkohë, sot, Ronaldo është paraqitur në qendrën stërvitore ku po i zhvillon parapërgatitjet për sezonin e ri skuadra më e trofeshme në nivel të Premierligës, Manchester United.

"Djajtë e kuq" kërkojnë respektimin e kontratës nga Ronaldo

Manchester United bëri çmos që ta rikthente në gjirin e saj Ronaldon, duke i ofruar kontratë dy-vjeçare. Pas një sezoni individual të pëlqyeshëm nga ylli portugez, drejtuesit e klubit nuk dëshirojnë fare të dëgjojnë asnjë ofertë për benjaminin e tyre.

Ata kërkojnë që të respektohet kontrata, e cila skadon në verën e vitit të ardhshëm. Për ta nuk do të përbënte fare problem edhe nëse Ronaldo do të largohej me parametra zero gjatë vitit të ardhshëm.

Sigurisht, mosha punon kundër sulmuesi 37-vjeçar dhe çdoherë do të jetë më e vështirë që ta bindë ndonjë skuadër e cila ka ambicie të mëdha që ta transferojë.

Gjithsesi, nëse mendojmë në planin e tanishëm, pa menduar për të ardhmen afatgjate të tij, duhet thënë se Erik ten Hag ka bërë të qartë se e sheh pjesë të skuadrës Ronaldon, duke përgënjeshtruar çdo zë fillestar, ku spekulohej se nuk do të bënte pjesë e planeve të tij.

Rikthimin te Manchester United pesë herë fituesi i Topit të Artë e bëri pas dymbëdhjetë vitesh, ku gjatë sezonit të fundit shënoi 24 gola në 38 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

Lajme të ngjashme