Ronaldo i komenton faqes së tifozëve: Mbreti luan të dielën - NACIONALE

Ronaldo i komenton faqes së tifozëve: Mbreti luan të dielën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo është bërë temë në vete gjatë këtyre javëve, pasi çdoherë e më shumë flitet për një largim të tij nga Manchester United. Por, në mënyrë të befasishme ai i ka reaguar një faqeje të tifozëve, duke sqaruar se kur do të rikthehet të luajë.

Nëse do të qëndrojë te Manchester United nuk do të jetë shprehje e vullnetit të tij të plotë, pasi dëshira e tij është që të largohet nga klubi anglez, për të luajtur gjetiu në Ligën e Kampionëve.

Mirëpo, meqë një largim nga "djajtë e kuq" nuk ka ndodhur deri më sot, kur data shënon 29 korrik dhe po afrohet fillimi i edicionit të ri futbollistik në Premierligë, atëherë Cristiano Ronaldo ka vendosur që t'i lë anash këto detaje dhe t'i kthehet fushës së blertë.

Kjo vjen pasi ai deri më tani nuk ka qenë fare i pranishëm qoftë në fillim të muajit kur skuadra është grumbulluar në qendrën stërvitore apo në turnetë e saj që i ka zhvilluar jashtë kontinentit evropian.

"Mbreti do të luajë të dielën"

Një faqe e tifozëve të Manchester United në rrjetin social Instagram kishte shkruar se ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës për dy miqësoret në vijim kundër Atletico Madrid dhe Rayo Vallecano.

Pas diç më shumë se një orë nga ai postim, ka ardhur edhe përgjigja konkrete e Ronaldos në gjuhën portugeze.

"Të dielën do të luajë mbreti"
, ka shkruar ai - duke bërë që tifozët e Manchester Unitedit të ekzaltoheshin.

Me këtë konstatim të Ronaldos nënkuptohet se ai do të luajë kundër Rayo Vallecanos. Njëherazi, kjo do të jetë miqësorja e tij e parë që do ta zhvillojë nën urdhrat e trajnerit të ri holandez, Erik ten Hag.

Ky i fundit gjatë javëve të kaluara është shprehur besimplotë se Cristiano Ronaldo do të vijojë të qendrojë në radhët e klubit më të trofeshëm në Premierligë, atij të Manchester United.

Në çdo rrethanë, kontrata e sulmuesit portugez 37-vjeçar skadon vitin e ardhshëm. Pavarësisht rrezikut që ai të largohet si lojtar i lirë pas një viti, Manchester United nuk e ka ndërmend që të privohet nga shërbimet e tij. Këtë gjë ua ka bërë të qartë edhe përfaqësuesve të lojtarit, të udhëhequr nga Jorge Mendes.

Lajme të ngjashme