Ronaldo e thyen heshtjen: E pamundur të mos flisni për mua, ndryshe s’ju shiten gazetat - NACIONALE

Ronaldo e thyen heshtjen: E pamundur të mos flisni për mua, ndryshe s’ju shiten gazetat

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo i ka kritikuar dhe akuzuar mediat për gënjeshtra rreth të ardhmes së tij, duke folur për herë të parë që prej se e njoftoi Manchester Unitedin se dëshiron të largohet nga klubi këtë verë.

Në një reagim të ashpër në rrjetin social Instagram, Ronaldo i quajti të rreme lajmet për ta ardhmen e tij.

“Është e pamundur të mos flisni për mua një ditë. Ndryshe mediat nuk fitojnë para. E dini se, nëse nuk gënjeni për mua, nuk mund ta keni vëmendjen e njerëzve. Vazhdoni se ndoshta një ditë do ta keni një lajm të saktë”, shkroi Ronaldo në Instagram.

Sulmuesi portugez e përfundoi reagimin me një emotikol duke qarë dhe me një tjetër duke qeshur.

Sipas mediave britanike, Ronaldo po i referohej një lajmi që pretendonte se Sir Alex Ferguson kishte ndërhyrë për ta bindur Ronaldon të qëndrojë në Old Trafford.

Ronaldo dhe Fergusoni gëzojnë marrëdhënie shumë të mira. 37-vjeçari iu ka referuar ish-trajnerit të vet skocez si baba.

Fergusoni ndodhej në qendrën stërvitore të Unitedit për një takim paraprak me bordin në ditën kur Ronaldo u rikthye për të biseduar me klubin për të ardhmen dhe prania e 80-vjeçarit nxiti thashetheme se ai ishte përfshirë në situatën e Ronaldos.

Reagimi i Ronaldos vjen pas lajmeve se menaxheri i vet Jorge Mendes po punon për ta kthyer atë në Sporting Lisbon për një vit.

Ronaldo dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve patjetër dhe ka kohë rreth një muaj për ta arritur synimin para se të nisë sezoni i ri 2022/23.

Ronaldo nuk është i bindur nga projekti i Unitedit dhe, përveç mungesës në Ligën e Kampionëve, ai ka dyshime serioze se djajtë e kuq mund të luftojnë për ndonjë trofe sezonin e ardhshëm, prandaj është i vendosur të largohet.

Në aspektin personal, Ronaldo kishte sezon të mirë në Old Trafford sezonin e kaluar, por kjo nuk i ndihmoi Unitedit ta fitojë ndonjë trofe apo ta përfundojë sezonin më lart se vendi i gjashtë në Premierligë.

Ai u zgjodh në ekipin e sezonit të kaluar në Premierligë, falë 18 golave në 30 paraqitje për djajtë e kuq.

Lajme të ngjashme