Tërbohen tifozët e Atletico Madridit, protestojnë kundër blerjes së Ronaldos
Përkrahësit e Atletico Madridit e kanë nisur një fushatë në Twitter kundër transferimit të Cristiano Ronaldos në klubin e tyre.
Ronaldo, 37 vjeç, dëshiron të largohet nga Manchester Unitedi vetëm një sezon pasi u kthye në Old Trafford verën e kaluar. Thuhet se superylli portugez dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve patjetër.
Është përfolur se Ronaldo i është vetëofruar klubeve si Chelsea, Atletico Madrid, Paris Saint-Germain, Bayern Munich, Real Madrid dhe Inter, në përpjekje për ta gjetur një klub që luan në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Por asnjëri prej klubeve të lartpërmendura nuk ka shprehur gatishmëri për ta afruar pesë herë fituesin e Topit të Artë.
Ndërsa së fundmi, po raportohet se Atletico e Diego Simeones mund të jetë klubi më i ri i Ronaldos.
Megjithatë, një numër i madh i përkrahësve të Atleticos e kanë bërë të qartë në rrjetet sociale se nuk duan që klubi të nënshkruan me Ronaldon.
Duke e përdorur hashtagun “Contra CR7” (kundër CR7) në Twitter, përkrahësit kanë shkruar gjëra dramatike saqë kanë kërcënuar se do të heqin dorë nga anëtarësimi në klub nëse Atletico nënshkruan me ish-sulmuesin e Real Madridit.
“Nëse ky (Ronaldo) vjen të Atleticon tim, unë do t’i anuloj dy abonimet e mia... ne nuk jemi shtëpi azili për të mbledhur mbeturina”, shkroi një përkrahës i Atleticos në Twitter.
Ronaldo është i padëshirueshëm për tifozët e Atleticos për shkak të së kaluarës së tij nëntëvjeçare në klubin rival, Real Madrid.
Gjatë asaj kohe, Atletico doli në skenë nën udhëheqjen e Diego Simeones për t’i sfiduar Real Madridin dhe Barcelonën në La Liga.
Por ishte Liga e Kampionëve aty ku Atletico vuajti shumë kundër rivalit të qytetit, pasi u mposht nga Real Madridi në finalet e viteve 2014 dhe 2016, si dhe në gjysmëfinale të vitit 2017.
Ronaldo, natyrisht, ishte njeriu kryesor në shkaktimin e vuajtjeve të Atleticos në këto tri raste. Ai e shënoi golin e katërt në fitoren e Real Madridit 4:1 më 2014.
Ai pastaj e shënoi penalltinë e triumfit në penalltitë e finales së 2016-s në San Siro dhe e shënoi një het-trik në ndeshjen e parë gjysmëfinale më 2017 në Bernabeu.
Vuajtjet që tifozët e Atleticos i përjetuan nga ai nuk ndaluan as pas largimit të tij nga Real Madridi më 2018. Atë vit, ai e shënoi një het-trik në ndeshjen e kthimit për Juventusin kundër Atleticos në Ligën e Kampionëve.

Të pakënaqur me lajmet se klubi mund të nënshkruajë me një lojtar rival për shumë kohë, tifozët kanë thënë se më parë e pranojnë disfatën se Ronaldon.
“Më parë do të humbja me Carlos Martinin në ekip se të fitoja me këtë tipin portugez. Mos u bëni qesharak!” shkroi një tifoz në Twitter.
Një tjetër shkroi: “Kurrë në klubin tim. Vlerat tona janë mbi golat tua”.
