Ronaldo nuk e pranoi marrëveshjen e fshehtë të Juventusit rreth pagave të lojtarëve - NACIONALE

Ronaldo nuk e pranoi marrëveshjen e fshehtë të Juventusit rreth pagave të lojtarëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një marrëveshje bujarie u ishte propozuar lojtarëve nga ana e Juventusit më 2020, por atë nuk e kishte pranuar edhe Cristiano Ronaldo.

Erupsioni i Covid-19 kishte ndikuar shumë keq në financat e Juventusit. Klubi më 2020 hasi në borxhe të mëdha dhe në një deficit të tmerrshëm, që filloi t’i bënte shumë problemeve.

Ronaldo përmes përfaqësuesve të tij nuk pranoi që të binte pre e ndonjë marrëveshje të fshehtë në lidhje me pagën. Ai ishte kategorik kundër këtij propozimi, edhe pse i njëjti promovohej nga vetë ish-kapiteni, Giorgio Chiellini.

Ishte mbrojtësi italian ai që u kishte dërguar një mesazh lojtarëve në grupin e “Whatsappit” me kërkesën që një marrëveshje e tillë të pranohej, marrë parasysh se klubi po kalonte në ditë të vështira financiare.

Disa lojtarë, si Ronaldo apo vetë De Sciglio, nuk ishin pajtuar me një gjë të tillë. Për të dytin ka disa ditë që është folur, ndërsa për Ronaldon tani kanë dalë edhe përgjimet që vërtetojnë një gjë të tillë.

“Nuk mund ta prekim pagën e Ronaldos”

Zemërthyer, njëri nga drejtuesit e klubit, Arrivabene, në një bisedë i thoshte ish-presidentit Agnelli se Ronaldo nuk ka pranuar që t’i preket paga për çfarëdo arsye.

“Kemi provuar me të gjitha mënyrat me Mendes (agjenti i Ronaldos), por nuk arrijmë që t’ia prekim pagën”, kishte thënë menaxheri italian.

Bëhet fjalë për rreth 20 milionë euro që Juventus do t’i kursente nga një ligj fiskal. Mirëpo, sulmuesi portugez kishte shfaqur rezerva të mëdha dhe përfaqësuesit të tij u druheshin skenarëve më të këqija.

Sipas “Corriere Della Sera”, Ronaldo refuzoi ta nënshkruante një dokument të tillë. Arsyet sipas gazetës kishin të bënin edhe me atë se mendonte që do të mund të vihej në rrezik të ndonjë pezullimi edhe vetë ai.

Edhe zyra ligjore e Juventusit duke folur me ish-drejtorin sportiv të Juventusit, Cherubini, ishin dorëzuar, duke thënë se nuk do vlente që të shkohej në një ekstrem, për t’i bërë denoncim Ronaldos, sepse një dokument i tillë nuk është se do t’i ndihmonte shumë klubit kur do ta deklaronte bilancin vjetor.

Kjo kishte qenë edhe arsyeja kryesore pse klubi nuk kishte hezituar fare që të privohej nga shërbimet e tij në momentin e parë kur Manchester United kishte ardhur me një ofertë zyrtare për të.

Për këto arsye gjatë orëve të fundit është raportuar edhe mundësia që Ronaldo të jetë në mesin e dëshmitarëve që mund të dalë para gjyqësorit për të dëshmuar në lidhje me akuzat që po i bëhen Juventusit nga Prokuroria e Torinos për skandalin e pagave të lojtarëve dhe deklarimin e bilancit vjetor të rrejshëm.

Lajme të ngjashme