Ronaldo: Maqedonia i befasoi të gjithë, por Portugalinë time nuk mund ta mposhtë dot
Cristiano Ronaldo është i bindur se Portugalia do ta mposhtë Maqedoninë e Veriut të martën dhe do të shkojë në Kupën e Botës, duke thënë se është e papërfytyrueshme që Kombëtarja portugeze të mbetet jashtë Botërorit Katar 2022.
Shteti fqinj i Kosovës, Maqedonia – cila e siguroi pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë në historinë e vet verën e kaluar në Euro 2020 madje duke e mposhtur Kombëtaren dardane – shkaktoi tronditje javën e kaluar duke e mundur kampionen evropiane Italinë 1:0 në gjysmëfinale të play-off-it për Botëror.
Maqedonasit, që përfaqësohen nga pesë futbollistë me prejardhje shqiptare, do të synojë ta sigurojë pjesëmarrjen në Botëror për herë të parë duke e shkaktuar edhe një befasi tjetër të madhe kundër Portugalisë.
Por Ronaldo nuk ka dyshime në fitoren e skuadrës së tij, duke thënë se Portugalia do të fitojë të martën mbrëma në Porto.
“Maqedonia i befasoi të gjithë [duke e mposhtur Italinë], dhe ajo ka shkaktuar befasi në shumë ndeshje të tjera, por unë besoj se nesër nuk do të na befasojë neve”, tha Ronaldo para ndeshjes të hënën.
“Portugalia do të jetë [ekip] më i mirë dhe ne do të shkojmë në Kupën e Botës. Unë gjithmonë e cilësoj veten favorit, në shtëpi apo në udhëtim. Ne tashmë e dimë se, nëse fitojmë, do të shkojmë në Kupën e Botës, nëse humbim jemi jashtë saj. Ne e kemi përgjegjësi të jemi pozitivë dhe ta fitojmë këtë ndeshje”, shtoi 37-vjeçari.
Nëse Portugalia mposhtet, atëherë kjo do të ishte hera e parë që prej vitit 1998 që ajo nuk ia del të marrë pjesë në Kupën e Botës.
Ronaldo ka luajtur në katër Kupa të Botës deri tani. Kjo është gara e vetme në të cilën ai ka luajtur gjithmonë por ka dështuar ta fitojë.
I pyetur nëse Kupa e Botës nuk do të ishte Kupë e Botës pa Ronaldon, sulmuesi i Manchester Unitedit tha: “Nuk ka Kupë të Botës pa Portugalinë, këtu nuk ka individualitete, është një grup”.
Portugalia kaloi në finale të play-off-it duke e mundur 3:1 Turqinë në gjysmëfinale javën e kaluar.
Nëse Portugalia fiton, atëherë ky do të ishte turneu i 10-të i madh në të cilin Ronaldo luan.
Ronaldo u zemërua kur u pyet në konferencë për media nëse po mendon të pensionohet nga Kombëtarja.
“Jam duke e dëgjuar të njëjtën pyetje shumë shpesh”, tha Ronaldo kur u pyet për temën e pensionimit nga një gazetar portugez.
“Unë vetë vendosi për të ardhmen time, askush tjetër. Nëse ndihem se dua të luaj më shumë, do të luaj; nëse jo, atëherë nuk do të luaj. Unë jam shefi, pikë!”