Ronaldo: Man. Utd kapitull i mbyllur, fokusi im është ekskluzivisht në Botëror - NACIONALE

Ronaldo: Man. Utd kapitull i mbyllur, fokusi im është ekskluzivisht në Botëror

1 vit më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo nuk ka dashur të komentojë shumë rreth zhvillimit të fundit në lidhje me shkëputjen e kontratës me Manchester United, duke thënë se fokusi i tij i plotë është vetëm te Botërori.

Portugalia sot e nisi mbarë, duke shënuar një fitore solide prej 3:2 kundër Ganës, edhe pse me raste tregoi disa të meta. Akter i rëndësishëm në këtë sfidë ishte edhe ylli kryesor i saj, Cristiano Ronaldo, pasi ishte ai që nga ekzekutimi i penalltisë shënoi golin e parë në ndeshje.

Gazetarët nuk e lanë të qetë Ronaldon pas përfundimit të ndeshjes, duke kërkuar nga ai përgjigje në lidhje me shkëputjen e kontratës me Manchester Unitedin që ndodhi gjatë kësaj mesjave.

Sipas sulmuesit portugez Manchester United është vetëm një kapitull i mbyllur: “Është kapitull i mbyllur (kontrata me Manchester Unitedin). Fokusi është vetëm dhe ekskluzivisht te Botërori.”

Ronaldo u shpreh i lumtur me fitoren e sotme, duke thënë që ajo çfarë është domethënëse në fund të ditës është vetëm fitorja, pa marrë parasysh disa lëshime që bënë.

“Siç pata thënë, dëshironim që ta fillonim këtë Botëror me këmbë të mbarë. Fituam. Kemi luajtur mirë. Edhe unë ndihmova skuadrën. Të gjithë gjërat tjera nuk kanë rëndësi”, tha ai.

Ronaldo i lumtur për rekordin e ri

Goli që sot shënoi Cristiano Ronaldo nuk ishte dosido, pasi ia mundësoi që ta regjistrojë një rekord të rallë. Ai u bë futbollisti i vetëm që ka arritur të shënojë në pesë Botërore radhazi.

Askush tjetër më parë nuk ka arritur diçka të ngjashme. Në lidhje me këtë rekord storik ai u shpreh tejet i lumtur.

Është një moment shumë i bukur. Kjo është pjesëmarrja e pestë për mua në Botëror. Pastaj shënova një tjetër rekord. Jam i vetmi lojtar që kam shënuar në pesë Botërore rresht, që për mua është një krenari e madhe”, nënvizoi ai.

Duhet theksuar fakti që Ronaldo për kombëtaren portugeze deri tani ka shënuar 118 gola në 192 paraqitje.

Ylli portugez do të bëjë çmos që ta fitojë trofeun e vetëm që i mungon si lojtar, respektivisht Kupën e Botës.

Ndeshjen e ardhshme Portugalia do ta luajë më 28 nëntor kundër Uruguajit, ndërsa atë të fundit më 2 dhjetor kundër Koresë Jugore.

Për momentin Portugalia zë vendin e parë më 3 pikë në Grupin H, ndërsa Uruguaji me Korenë Jugore pasojnë me 1 pikë. Krejt në fund në tabelë qëndron Gana pa asnjë pikë të grumbulluar.

Lajme të ngjashme