Ronaldo largohet nga stadiumi pas pjesës së parë, s'e shikon deri në fund ekipin e vet të ri Al-Nassr - NACIONALE

Ronaldo largohet nga stadiumi pas pjesës së parë, s'e shikon deri në fund ekipin e vet të ri Al-Nassr

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo e shikoi nga tribunat paraqitjen e bashkëlojtarëve të tij të ri të Al-Nassr. Megjithatë, ai qëndroi vetëm në pjesën e parë, pasi më pas vendosi që të largohet nga stadiumi, pa shikuar pjesën e dytë.

Al-Nassr sot fitoi me rezultat 2:0 në ndeshjen kundër Al-Taee. Takim në të cilin nuk mund të ishte i gatshëm për të luajtur ylli portugez, Cristiano Ronaldo.

Gjithsesi, ai u pa në stadium, gjegjësisht në tribunat e tij. Mirëpo, 37-vjeçari ka qëndruar për ta parë ndeshjen vetëm për 45 minuta. Më pas ka vendosur të largohet nga stadiumi siç raporton “Daily Mail”.

Tifozët e pranishëm që ishin në këtë ndeshje kanë kënduar në kor emrin e Ronaldos, duke i uruar atij mirëseardhje. Po ashtu, Ronaldo i ka përshëndetur ata nga zona VIP e tribunave ku ishte i uluar.

Ronaldo u pa edhe teksa festonte golin e e parë që shënoi braziliani Talisca, e që rezultuan të ishin edhe përcaktuese për fatin e ndeshjes.

37-vjeçari u pa në humor shumë të mirë edhe para fillimit të ndeshjes. Nga disa pamje që dolën në internet, ai shihet tejet i buzëqeshur dhe i lumtur.

Përfaqësuesi portugez nuk ishte në dispozicion të skuadrës, pasi sipas “Daily Mail” po vuan pezullimin prej dy ndeshjeve moslojë që kishte marrë nga Federata Angleze e Futbollit si pasojë e një incidenti në ndeshjen kundër Evertonit, kur ai ia kishte thyer celularin një tifozi të pranishëm në tribunë.

Gjithnjë sipas mediumit anglez, një dënim i tillë ka peshë edhe në federatat tjera sipas Rregullores së FIFA-s. Pra, edhe në Arabi Saudite duhet të respektohet një vendim i ngjashëm, ndonëse është marrë nga një federatë e një vendi tjetër.

Në bazë të kalendarit të ndeshjeve në Arabinë Saudite, kjo do të thotë që ylli 37-vjeçar nuk do të mund të luajë deri më 21 janar, kur do të ndeshet ndaj Al Ettifaq.

Kështu, Ronaldo nuk do të jetë pjesë e skuadrës as për ndeshjen kundër Al Shabab, që është e paraparë në kalendar më 14 janar të këtij muaji.

Lajme të ngjashme