Ronaldo i zemëruar me eliminimin nga Liga e Kampionëve sugjeroi se gjyqtari ka nevojë për syze
Cristiano Ronaldo është parë duke sugjeruar i mllefosur se gjyqtari Slavko Vincic ka nevojë për syze, pas golit të Atletico Madridit në fitoren kundër Manchester Unitedit në rrethin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve.
Atletico Madridi e mundi 1:0 Manchester Unitedin falë një goli të mbrojtësit anësor Jodan Lodi në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales dhe kaloi në çerekfinale më rezultat të përgjithshëm 2:1, pasi ndeshja e parë në Madrid kishte mbaruar baras 1:1.
Por para golit të mbrotjësit brazilian, Anthony Eanga u rrëzua në fushë gjatë një përpjekjeje për ta dribluar kundërshtarin.
Unitedi mbeti i mllefosur nga ky rast dhe shumë vendime të tjera të gjyqtarit gjatë gjithë takimit në Old Trafford dhe Ronaldo u pa duke bërë me gjeste i zemeruar pasi goli i Lodit u pranua.
Portugezi madje sugjeroi me gjeste se gjyqtari ka nevojë për syze.
Cristiano Ronaldo was not happy with the referee after Atletico Madrid opened the scoring at Old Trafford 👀#UCL pic.twitter.com/dNl5iJUAq4
— Football on BT Sport (@btsportfootball) March 15, 2022
Ndërkohë, ky dështim i Manchester Unitedit dhe Ronaldos nënkupton se ata nuk do ta fitojnë asnjë trofe në sezonin 2021/22, pavarësisht se kanë mbetur edhe gati tre muaj deri në përfundim të tij.
Ronaldo u ktheu në klub verën e kaluar për t’i ndihmuar Unitedit të luftojë trofe, por ai tani duhet të pajtohet me sezonin e tij të parë pa trofe në 12 vitet e fundit.
Në fakt, 37-vjeçari ishte ndër më të dobët në fushë për skuadrën e Ralf Rangnick, pasi nuk arrit ta bëjë asnjë goditje në portën e portierit Jan Oblak gjatë 90 minutave lojë.
Vetëm kundër Panathinaikos në vitin 2003, kundër Barcelona në vitin 2011 dhe sonte, Ronaldo ka dështuar të bëjë goditje drejt portës në garën elitare evropiane për klube.
Për Unitedin, ky do të jetë edhe një sezon tjetër pa trofe.
Trofeu i Ligës së Evropës nën udhëheqjen e Jose Mourinhos në vitin 2017 ishte i fundit që djajtë e kuq e fituan.
Ronaldo, në anën tjetër, e ka fituar të paktën një trofe çdo sezon në 12 vitet e fundit.
Kjo do të jetë hera e parë që prej sezonit 2009/10, sezoni i tij i parë në Real Madrid, që Ronaldo nuk e fiton asnjë trofe.
Unitedi është rrëzuar nga gara në Carabao Cup, FA Cup dhe Ligën e Kampionëve tashmë.
Edhe pse matematikisht ende në garë për titull në Premierligë, Unitedi ngel 20 pikë mbrapa liderit dhe rivalit Manchester City, një epërsi që është ekstremisht e vështirë për t’u përmbysur në nëntë ndeshjet e mbetura në ligë.