Ronaldo dhe Maguire dy futbollistët më të abuzuar në Twitter
Dy lojtarët e Manchester United, Cristiano Ronaldo dhe Harry Maguire, janë dy futbollistët më të abuzuar në rrjetin social Twitter nga Premierliga, sipas një analize që është bërë në kohët e fundit.
Nga analiza e bërë, nga 2.3 milionë shkrime në Twitter në gjysmën e parë të sezonit të kaluar, janë gjetur 60 mijë shkrime abuzive, që afektojnë shtatë në çdo 10 futbollistë.
Gjysma e abuzimeve janë direkt vetëm në 12 futbollistë, tetë nga të cilët i takojnë Manchester Unitedit.
“Këto gjetje japin dritë në anën e errët të kësaj loje të bukur. Abuzimet online nuk kanë vend në sport e as shoqëri dhe kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë ekipore”, thotë Kevin Bakhurst, drejtor i grupit Ofcom për transmetim dhe përmbajtje në rrjete sociale.

Ronaldo dhe Maguire cak kryesor i abuzimeve
Analiza identifikoi dy kohë kur ishin në masë më të madhe abuzimet në këtë rrjet social.
Hera e parë ishte dita kur Ronaldo u kthye në Manchester United, pra më 27 gusht 2021, ku ishin gjeneruar tre herë më shumë shkrime se në një ditë të zakonshme apo 188,769 nga të cilat 3961 ishin abuzive.
Volumi i shkrimeve mund të jetë edhe për shkakun se Ronaldo numëron 98,4 milionë ndjekës, dhe në ditën e lartcekur, sulmuesi portugez ishte përmendur në 90 % të shkrimeve për lojtarët e Premierligës, ku 97% e tyre ishin abuzive.
Hera e dytë ishte më 7 nëntor të vitit të kaluar, kur mbrojtësi i djajve të kuq, Maguire kërkoi falje me anë të një shkrimi për humbjen 2:0 në shtëpi ndaj rivalit të qytetit, Manchester Cityt.
Në këtë rast, 2903 shkrime abuzive janë shkruar apo 10,6% i totalit në atë ditë, me shumë përdorues që përdornin gjuhë fyese.

Analiza ka gjetur se ka pasur shkrime saktësisht të njëjta disa herë, duke përdorur mbi të gjitha frazat e njëjta, ku 69 herë janë dërguar nga përdorues të ndryshëm në drejtim të mbrojtësit anglez, brenda dy orëve.
Studimi thotë “është e mundur që këto shkrime të njëjta kanë ndodhur sepse përdoruesit kanë parë shkrimet abuzive dhe kanë vendosur ta kopjojnë, duke treguar organizim organik dhe jo sjellje të koordinuar”.
Instituti Alan Turing tha se të kuptuarit e organizimit të abuzimit në internet është me interes në rritje duke pasur parasysh dëmin e shkaktuar nga sulmet e koordinuara.
Lojtarët e tjerë ishin cak i shkrimeve abuzive por pavarësisht kësaj nuk kishte numër të madh të shkrimeve në përgjithësi.
Mbrojtësi i Newcastle United, Ciaran Clark, tani i huazuar në SHeffield United u dërgua jashtë me karton të kuq kundër Norwich në nëntor, me 78% të shkrimeve abuzive që erdhën në emër të tij në atë ditë.
Edhe lojtari i Crystal Palaces, James McArthur ishte cak i këtyre abuzimeve, kur u ndëshkua me karton të verdhë pasi shkeli mbi futbollistin e Arsenalit, Bukayo Saka, në tetor të vitit 2021.
Analizat thonë se edhe mbrojtësi i West Hamit, Kurt Zouma, ishte cak për shkak të incidentit që u publikua me video ku shihej duke e goditur dhe shkelmuar macen e tij.