Ronaldo dërgon aeroplan me gjëra të nevojshme për t’iu ndihmuar të prekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri
Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, i ka dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi dhe Siri, duke dërguar gjëra të nevojshme me aeroplan.
Në një gjest të madh humanitar, ylli i Portugalisë dhe Al-Nassr ka paguar për tenda, pako ushqimore, jastëkë, batanije, shtretër, ushqim për fëmijë, qumësht dhe furnizime mjekësore për t'u dërguar të prekurve të katastrofës së madhe që përfshiu këto dy shtete në muajin që lamë pas, sipas Daily Mail.
Më 6 shkurt, një tërmet shkatërrues me shkallë Rhiteri 7.7 tronditi disa pjesë të Turqisë jugore dhe Sirisë duke rezultuar në humbjen e mijëra jetëve njerëzore dhe shkatërrime në shkallë të gjerë pronash.

Ky nuk është gjesti i vetëm i ndihmës që Ronaldo ka bërë pas tërmeteve. Futbollisti turk Merih Demiral kishte zbuluar se ka leje nga Ronaldo për të nxjerrë në ankand një nga fanellat e tij të firmosura nga 38-vjeçari, nga koleksioni i tij dhe paratë do të dhuroheshin për të ndihmuar të prekurit e tërmetit.
Ronaldo jo vetëm në futboll që është një nga më të mirët e historisë, ai gjithashtu është i njohur për humanitetin e tij të treguar në shumë raste të ndryshme.

Tashmë ai është në fund të karrierës në futboll, por shkëlqimi i tij po vazhdon, ndonëse ka mbushur 38 vite. Në muajin që lamë pas e fitoi çmimin e lojtarit të muajit shkurt, ndërsa tani ndeshjen e radhës e zhvillon me skuadrën e tij Al-Nassr kundër Al-Ittihad në Ligën Pro Saudite të enjten.