Roger Federer konfirmon se nesër do ta luajë ndeshjen e fundit si profesionist përkrah Rafa Nadalit - NACIONALE

Roger Federer konfirmon se nesër do ta luajë ndeshjen e fundit si profesionist përkrah Rafa Nadalit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Roger Federer ka njoftuar se nesër do të luajë ndeshjen e fundit si profesionist në një ndeshje të çiftëve me rivalin historik dhe mikun Rafael Nadal si partner.

Roger Federer dhe Rafael Nadal do të bashkohen për ndeshjen e çiftëve në ditën e parë të Laver Cup.

Federeri dhe Nadali do të përballen me dyshen amerikane Jack Stock dhe Tiafoe në ndeshjen e lamtumirës së legjendës zvicerane të premten mbrëma.

“Një çast tjetër të bukur” – Federer

Federer kishte thënë ditë më parë se do të dëshironte të luante me Nadalin për edhe një çast tjetër të bukur para se të pensionohej.

“Mendoj se do të ishte çast shumë i bukur që dy rivalët të bashkohen në fund, të luaj një ndeshje tjetër përkrah tij do të ishte diçka shumë e veçantë”, tha Federer për Eurosport.

Federeri dhe Nadali u përballën 40 herë gjatë karrierës së tyre, me spanjollin që gëzon rekord më të mirë me 26 fitore dhe 14 humbje.

Vendimi për ta varë reketin në mur

Roger Federer thotë se vendimin për t’u pensionuar e mori pasi i humbi besimi se do të mundë të vazhdonte të luante për shkak të lëndimeve.

Fituesi i 20 titujve grand slam ka vendosur ta varë reketin në gozhdë pas turneut Laver Cup këtë fundjavë në Londër.

Zvicerani, 41 vjeç, nuk ka luajtur tenis që prej Wimbledonit 2021, pas të cili u detyrua ta operojë gjurin për herë të tretë.

“Tri vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira. E dija se po ecja në fije të perit që prej pjesëmarrjes së fundit në Wimbledon”, tha Federer për BBC.

Legjenda e tenisit shtoi: “U përpoqa të rikthehem por isha i kufizuar në atë që mund ta bëja. Dhe nuk besova më, të jemi sinqertë me ju”.

Federeri tregoi se kishte bërë një fotografim të gjurit së fundmi dhe rezultati nuk doli siç shpresonte ai: “Shumë shpejt e kuptova se kaq ishte”.

“Pastaj vjen pyetja: si ta bësh dhe kur ta bësh njoftimin? Në këtë çast u bë realitet. Ishte në rregull por stresuese”.

Tani i cilësuar si njëri ndër më të mirët në historinë e tenisit, Federeri thotë se kurrë nuk iu fut tenisit duke parafytyruar se do të kishte kaq shumë sukses dhe pasi arriti kaq shumë, ishte i lumtur të largohej.

Ai qëndroi numër një në botë për 310 javë – përfshirë 237 javë pandërprerë që është rekord – dhe i fitoi 103 tituj./Nacionale/

Lajme të ngjashme