Robert Lewandowski e pranon se nuk është i lumtur me Barcelonën
Robert Lewandowski e ka pranuar se ndihet thellësisht i zhgënjyer pas rënies së Barcelonës nga gara e Ligës së Kampionëve, por ndien se ekipi mund ta përdorë këtë përvojë të hidhur për t’u përmirësuar dhe për të ecur përpara.
Barcelona u mposht lehtësisht 3:0 nga ish-klubi i Lewandowskit Bayern Munich të mërkurën e kaluar, dhe si pasojë do të luajë tani në Ligën e Evropës për sezonin e dytë më radhë.
Sulmuesi polak iu bashkuar Barcelonës në verë, por nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë ndryshimin e fatit të skuadrës në Evropë këtë sezon.
Lewandowski e pranoi se ndihet i zemëruar dhe i pakënaqur që skuadra ra nga gara elitare e klubeve në Evropë, por beson se klubi mund të rikthehet në binarë nën udhëheqjen e Xavit me kohë dhe durim.
“Natyrisht nuk jam i lumtur, Barcelona duhet të jetë në mesin e 16 më të mirëve”, tha Lewandowski për La Vanguardia.
“Por para se të vija te Barça, kam qenë i vetëdijshëm se sezoni i parë do të ishte më i vështirë seç do të duhej të ishte. Ne jemi në proces të ndërtimit të skuadrës, gjë që merr kohë, duhet të kemi durim. Jam i sigurt se ky zhgënjim do të na bëjë të rritemi si ekip dhe se çdo gjë do të jetë ndryshe sezonin e ardhshëm”, nënvizoi ai.

“Ne po rritemi. Nuk prisja se çdo gjë do të shkonte mirë sapo të vija këtu”, shtoi ai.
Nga pikëpamja personale, Lewandowski e ka nisur shumë mirë karrierën në Barcelonë, duke i shënuar 18 gola në 17 paraqitje në të gjitha garat.
Ai ia siguroi Barçës tri pikë shumë të vështira duke e shënuar golin e fitores 1:0 kundër Valencias në kohën shesë të shtunën.
Tani, Barcelona është vetëm një pikë mbrapa liderit dhe rivalit Real Madrid në tabelën e La Ligës.

