Interi kalon tutje pas fitores kundër Plzen, Barcelona bie në Ligën e Evropës
Inter ka shënuar fitore bindëse në sfidën vendimtare ndaj Viktoria Plzen (4:0) për të avancuar në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve dhe dërguar Barcelonën në Ligën e Evropës.
"Neurazzurët" nuk gabuan në "Giuseppe Meazza" duke fituar ndaj Plzen me rezultat të thellë 4:0, sfidë të cilën e dominuan në të gjitha aspektet.
Inter nisi të rrezikojë qysh nga minuta e parë me DiMarco që kishte disa mundësi të mira, njësoi si Edin Dzeko, por që nuk i konkretizuan fillimisht.
Ishte Alessandro Bastoni që harkoi për mrekulli duke gjetur Henrikh Mkhitaryan, i cili ishte i saktë me kokë për t'i dhënë epërsinë mysafirëve (35').
Edhe pas golit të shënuar, skuadra italiane vazhdoi me dominimin e plotë dhe dyfishoi epërsinë vetëm shtatë minuta më vonë përmes Edin Dzekos, i cili u asistua nga Federico DiMarco (42').
Kjo paraqitje e shkëlqyer vazhdoi edhe në 45 minutat e dytë, me Lautaro Martinez që kreu gjithë punën duke asistuar për Dzekon, i cili nuk e kishte të vështirë ta konkretizonte në gol (66').
Vlen të ceket se në këtë sfidë nga lëndimi që disa muaj u rikthye belgu Romelu Lukaku, që u inkuadrua në fushë në minutën e 83-të duke zëvendësuar Lautaro Martinezin.
Lukaku njoftoi rikthimin për mrekulli duke shënuar vetëm pesë minuta më vonë pas një asistimi të Correas (87’).
Kjo fitore është e rëndë për Barcelonën pasi tani është vulosur se do të luajnë në Ligën e Evropës për të dytin vit radhazi.
Nënkampioni i Italisë renditët si pozitë e dytë në tabelë me 10 pikë të mbledhura, dy më pak se lideri momental Bayern Munich i cili nuk di për humbje duke pasur 12 pikë, e një orë më vonë përballet me Barcelonën.
Në rast të humbjes së sotme, Bayern duhet të përballet me Interin për pozitën e parë në grup në xhiron e fundit.