Lewandowski bën heroin, ia dhuron tre pikët Barcelonës në frymën e fundit në “Mestalla”
Barcelona thuajse gjatë gjithë kohës kishte mbizotërimin në lojë kundër Valencias, por golin e fitores për 0:1 e gjeti tek në minutën e 93-të me Robert Lewandowskin.
Një fitore e vuajtur, por e madhe, pas një seri ditësh të komplikuara që kaloi skuadra “blaugrana” gjatë kësaj periudhe kohore, me theks të veçantë e ndikuar nga fakti i eliminimit të hershëm nga Liga e Kampionëve.
Mbizotërimi në qarkullim të topit nuk ishte asnjëherë në mëdyshje nga katalonasit, por rastet konkrete nuk është se ishin të pranishme gjatë tërë kohës.
Gennaro Gattuso arriti ta ruajë një konsolidim në mbrojtje për Valencian deri në minutat shtesë. Aty një lojtar mjeshtëror si Lewandowski ua shkaktoi humbjen e radhës në kampionat.
Raporti i ndeshjes Valencia 0:1 Barcelona
Rastin e parë në ndeshje e pati Ansu Fati në minutën e 13-të, por goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Në minutën e 23-të Barcelona pati sërish kontestime në drejtim të gjyqtarëve. Një gol i anuluar nga Ansu Fati për pozitë jashtë loje ngjalli shumë debat.
Me portat e paprekura skuadrat u drejtuan zhveshtoreve në pauzën mes dy pjesëlojëve.
Në pjesën e dytë në një moment u duk se Valencia i dha një goditje të fortë Barcelonës, pasi në minutën e 50-të shënoi golin e epërsisë me Dias Lino.
Pas dy minutave që mori kontrollimi i aksionit nga VAR-i, gjyqtarët vendosën që ta anulojnë golin për shkak të një faulli me dorë gjatë ndërtimit të aksionit.
Periudha në vijim e lojës ishte shterpe, pa shumë aksione të rrjedhshme. Nervat ishin të larta me t’iu afruar fundit të takimit.

Kartona të shumtë të verdhë u dhanë në të dy anët e ekipeve. Mirëpo, nga hiçi, kur të gjithë menduan se epilogu i ndeshjes vështirë se do të prodhonte ndonjë ndryshim, u përkujdes Robert Lewandowski që t’i demantojë të gjithë.
Ai në minutën e 93-të lexoi për mrekulli aksionin nga ku ndodhi një pasim që vendosi në zonë Raphinha. Ylli polak zgjati këmbën dhe shënoi për 0:1.

Ky ishte edhe goli i fitores, që ia mundësoi Xavit një çlirim të madh, pasi mund të rrezikonte që t’ia jepte Real Madridit një mundësi për t’u shkëputur në renditjen tabelore.
Për momentin Barcelona ka rrëmbyer pozitën e parë me 31 pikë, po aq sa ka edhe Real Madridi. Madrilenët do të luajnë nesër ndaj Gironas në “Bernabeu”. Në letër llogaritet ndeshje e lehtë. Andaj, vështirë të pritet ndonjë hap fals.

Sa i përket Lewandowskit, ky ishte goli i 13-të në kampionat. Për më tepër ai është golashënuesi më i mirë në La Liga.


