Rilindja e Florent Muslijës - nga lojtari me ulje dhe ngritje në formë, deri te rikthimi në kombëtare
Florent Muslija në ndeshjen miqësore ndaj Burkina Fasos regjistroi paraqitjen më të mirë me fanellën e Kosovës qëkur është pjesë e dardanëve. Ai madje ishte lojtari me më së shumti kilometra të vrapuara në fushë, që është tregues i mjaftueshëm edhe për formën e tij të mirë fizike që prej momentit që është transferuar në Paderborn. Sidoqoftë, përgjatë karrierës është kritikuar nga ish-trajnerët e tij për lëkundjet drastike që vazhimisht ka pësuar forma e tij.
Florent Muslija po kalonte në një luhatje të formës në dy vitet e fundit. Ai filloi gradualisht ta humbasë besimin e Hannoverit, duke iu reduktuar çdoherë e më shumë minutat në fushë. Kjo u vu re veçmas në pjesën e parë të këtij sezoni, kur ish-trajneri i klubit verior gjerman, Jan Zimmermann, e largoi lojtarin me tipare sulmuese nga planet e tij. Mirëpo, pati një pikë kthese në formën e Florentit. Ajo ndodhi në një ndeshje që zhvillonte Hannover përballë Paderbornit, në nëntorin e vitit të kaluar. I inkuadruar nga pjesa e dytë, filloi të bënte një paraqitje mahnitëse, ani se në fund rezultati i asaj ndeshjeje përfundoi me rrjetat e patundura, me rezultat 0 me 0. Edhe pasimi i tij i mrekullueshëm për mbrojtësin e krahut të majtë, Nikklas Hult, i cili shpërdoronte habitshem një rast të artë, ishte një dëshmi se Florent Muslija akoma ishte i denjë për t'i vënë në spikamë aftësitë e tij teknike.
Madje, kjo ndeshje vinte pas pauzës së kombëtareve. Florent Muslija sipas indicieve kishte refuzuar të grumbullohej me Kosovën për t'u koncentruar në rikëndellje te skuadra e tij, ku e kishte humbur besimin e trajnerit. Diçka të tillë e kishte bërë edhe disa kohë më herët, kur preferonte fazën parapërgatitore me skuadrën, para grumbullimit me kombëtaren. Vendim i shtyrë edhe nga masat parandaluese të rrepta ndaj covid-19 që aplikonte rajoni i Niedersachen në raport me vendet që ishin në listë të zezë, si Kosova.
Paderborn, pikë kthese në karrierën e tij
Paraqitja e Florent Muslijës ndaj Paderborn ishte e parafundit me fanellën e Hannoverit, qoftë për të dhe për ish-trajnerin Jan Zimmermann, para se i njëjti të shkarkohej nga klubi.
Pikërisht fakti që spikati para syve të trajnerit polako-gjerman të Paderborn, Lukas Kwasniok, bëri që ky i fundit me këmbëngulje të kërkonte afrimin e lojtarit kosovar në gjirin e ekipit të tij. Diçka e tillë ndodhi që në fillim të muajit janar. Po i njëjti trajner, Kwasniok, e njeh më mirë sesa kushdo tjetër potencialin e tij, pasi e ka ushtruar që nga grupmoshat e reja kur Muslija ishte pjesë e Kalsruhe.
Dhe, këtu 'po' që mund të themi që pjesa tjetër është histori!

Po, sepse filloi të ndryshojë gjithçka shpejt dhe vrullshëm. U përfshi në të gjitha ndeshjet parapërgatitore miqësore gjatë dimrit si titullar. I tillë u konfirmua edhe në fillimin e pjesës së dytë të kampionatit me fanellën e re të Paderborn. Tanimë trajneri Kwasniok i dha detyra të reja. Ai u la i lirë të jetë mesfushor me predispozita organizative, që do të ishte urë lidhëse mes mesfushës dhe sulmit, por pa luajtur në krah, siç e angazhonte më herët Hannover apo edhe vetë kombëtarja e Kosovës.
Konstantja, elementi i munguar në rendimentin e Florent Muslijës
Shtypi gjerman gjithmonë e ka kritikuar Florent Muslijën se si elementi kyç që i mungonte atij ishte konstantshmëria në paraqitjet e tij. Në katër vitet e fundit që luan në nivele profesionale, që të gjithë trajnerët e tij kritikën për të e kanë koncentruar në një emërues të përbashkët: luhatjen në formë që e ka dalluar lojtarin dardan. Nga André Breitenreiter që ia mundësoi debutimin në Bundesliga 1 përballë Eintracht Frankfurt katër vjet më parë, e deri te trajneri që nuk llogariti më në shërbimet e tij, kësisoj për t'ia aprovuar kërkesën për largim në Paderborn, Christoph Dabrowski, e kanë përsëritur të njëjtin refren. Mbase, ky i fundit në një prononcim për shtypin gjerman fliste hapur në mbrojtje të vendimit të tij për ta përjashtuar nga planet e skuadrës së Hannover, duke u shprehur si vijon: "Kam biseduar disa herë më të (Florent Muslijën). Kemi pasur një bisedë tejet të gjatë të premtën (duke iu referuar datës 1 janar, 2022). Bëhet fjalë për një futbollist të mirë, i cili ka prekur majat dhe rënien e formës këtu".

Gjithsesi, muaji shkurt deri më tani ka qenë më produktivi për të me ekipin e Paderbornit. Përtej golave, po flasim për rendimentin në fushë. Shembull, paraqitja ndaj Schalkes më 18 shkurt, ndonëse që u humb ndeshja me rezultat 2 me 0 dhe pavarësisht faktit që nuk regjistroi ndonjë gol apo asistim, ai ishte më i miri në fushë, me një angazhim për çdo lakmi, si lider i tranzicionit të mesfushës së Paderbornit, me ç'rast vetëm tundja e rrjetës i mungoi, pasi në çdo element tjetër ishte spektakolar në ballafaqimin ndaj skuadrës së Blendi Idrizit, i cili njashtu zhvillonte paraqitje të mirë atë ditë.
Pra, kështu filloi që ai ta merrte veten. Në javët e para të muajit mars ra nga ai shkëlqim me të cilin e filloi aventurën te Paderborn, por assesi nuk mund të flasim për një rënie drastike siç ishim mësuar nga ai ta shihnim në momentet vendimtare kur bënte paraqitje të mira.
Rikthimi te kombëtarja e Kosovës pas 1 viti e gjysmë
Për ta kujtuar debutimin e Florent Muslijës me fanellën e Kosovës duhet të kthehemi në 7 shtatorin e vitit 2019, kur ai u inkuadrua në pjesën e dytë në ndeshjen e madhe që fitonim ndaj Republikës Çeke në Prishtinë, me rezultat 2 me 1. Ndërsa për t'i rikthyer në memorie minutat e tij të fundit me fanellën e Kosovës para këtij grumbullimi aktual, duhet të shkojmë te humbja ndaj Sllovenisë që pësonim më 11 tetor, 2020, në kuadër të Ligës së Kombeve. Që atëherë nuk ka qenë asnjëherë më pjesë e listave të Bernard Challandes. Jo për faj gjithmonë të këtij të fundit. Duhet thënë që ishte forma tejet e dobët e tij në vitin 2021 ajo që ishte ndër faktorët e kësaj mungese. Faktori tjetër, siç e thamë edhe më herët, ishte me raste mosgatishmëria e tij për t'u grumbulluar në kombëtare, edhe për shkak të pandemisë dhe koncentrimin në rikëndellje te ish-skuadra e tij, Hannover.
Në çdo rrethanë, rikthimi i tij te Kosova u veçua me një paraqitje mbresëlënëse. Përzgjedhësi francez, Alain Giresse, atij i besoi rolin e mesfushorit më të tërhequr, në rreshtimin 4-3-3. Deri më tani ai kishte luajtur me Kosovën në disa pjesë tjera të fushës, si ta zëmë: sulmues anësor i djathtë (që debutonte ndaj Republikës Çeke në Prishtinë duke zëvendësuar në lojë Edon Zhegrovën), si lojtar kreativ mbrapa sulmuesit, si dhe në rolin e sulmuesit të krahut të majtë, ku u inkuadrua më shpesh.

Për herë të parë iu besua një pozitë e re në kombëtare, por jo edhe e re për të në përgjithësi, marrë parasysh që të njëjtin rol po e mbulon tani e tre muaj në Paderbon, ku ka filluar të rishkëlqejë.
Sipas disa informatave brenda kombëtares së Kosovës, gazeta Nacionale mëson që angazhimi i tij në fushë u veçua me 11 km të vrapuara në sfidën që dardanët e fituan me rezultat 5 me 0 ndaj kombëtares afrikane, Burkina Faso. Këto janë të dhënat e brendshme, të cilat janë tregues edhe i asaj çfarë sytë e çdo futbolldashësi dhe tifozi kosovar panë. Pra, Florent Muslija i kudondodhur, me pasime të sakta dhe mbulim të tërësishëm të fushës pa lënë ndonjë vakum në fushë. Njëherazi ishte lojtari me përformancën më të mirë nga kjo evidencë statistikore.
Një shifër e tillë e angazhimit në fushë me kilometra të vrapuara, është e konsiderueshme kur kemi parasysh që ishte një miqësore, e cila në vetvete u luajt me një ritëm mesatar.
Ky duhet të jetë një ogur i mirë për të. Me Florian Loshajn në krizë të thellë te skuadra e tij Cracovia, si dhe me Hekuran Kryeziun, Herolind Shalën, Idriz Vocën dhe Besar Halimin që po kalojnë në periudhën më të errët të karrierës së tyre, Florent Muslija ka të gjitha mundësitë para vetes për t'i shfrytëzuar, në mënyrë që të shndërrohet në mesfushorin organizativ me tipare kreative që i mungon Kosovës tani e sa kohë. Një përshtatje e tillë, në këtë rol, është oksigjen për kombëtaren dardane.
Diçka tjetër që ia vlen të përmendet është ngarkimi me detyra të reja, si ato të ekzekutimit të goditjeve të dënimit, për të cilat shquhet. Duhet parë nëse do të ndryshojë hierarkia, pasi në të kaluarën kemi parë Valon Berishën dhe Benjamin Kolollin që i merrnin përsipër ekzekutimet e ndërperjeve të tilla, ndonëse pa realizuar asnjëherë ndonjë gol. Të vetmin gol që e shënonte nga gjuajtja e lirë ishte Leart Paqarada, në miqësoren e parë të luajtur në Francoville ndaj Burkino Fasos që u fitua me rezultat 2 me 0.