Richarlison: Kur do të luaj në Ligën e Kampionëve, ka mundësi të qaj
Richarlison ka qenë prej transferimeve më të mëdha të Tottenhamit gjatë këtij afati kalimtar. Ai nuk ka ngurruar të flasë rreth emocioneve që po i përjeton.
Sulmues 25-vjeç brazilian u kërkua me ngulm nga trajneri italian, Antonio Conte, për t'i përforcuar radhët e sulmit. Ai ishte blerja e fundit, pasi paraprakisht Tottenham siguroi shërbimet e qendërmbrojtësit Yves Bissouma për 29 milionë euro.
Çmimi që Spurs paguan për Richarlison ishte i lartë. Me fjalë tjera, 58 milionë euro fitoi Everton nga shitja e kartonit të tij. Kjo flet mjaftueshëm edhe rreth pritshmërive që Tottenham ka në raport me sulmuesin brazilian, për të qenë në lartësi të detyrës.
Richarlison, ndër të tjera, për herë të parë do të ketë mundësi të luajë edhe në Ligën e Kampionëve. Diçka që asnjëherë më parë nuk ka mundur ta shijojë. Në një prononcim për Sky Sports News, ai shpjegoi edhe emocionet që do t'i ketë me të luajtur në atë kompeticion.
"Gjithmonë e kam thënë që ëndrra ime ka qenë të luaja në Ligën e Kampionëve dhe tani kjo ëndërr do të bëhet realitet. Ndoshta do të qaj kur do ta dëgjoj muzikën e Ligës së Kampionëve. Do të jetë një moment i veçantë. Deri më tani më ka rastisur ta dëgjoj vetëm pranë televizionit.
"Të gjithë dëshirojnë të luajnë në këtë kompeticion. Do të jem paksa i emocionuar kur do të zbres në fushë", deklaroi Richarlison.
Tottenham në xhirot e fundit të edicionit paraprak të Premierligës siguroi plasmanin në Ligën e Kampionëve, duke e parakaluar në renditjen tabelare rivalin e urryer lokal, Arsenal. Për Richarlison sezoni që vjen do të jetë një mundësi e mirë për t'i treguar vlerat e tij, pasi gjatë viteve të fundit, sa ishte pjesë e Everton, rezultatet ekipore nuk kanë qenë ato që arrinin t'i përmbushnin objektivat e sulmuesit brazilian.
