Richarlison: Eliminimi nga Botërori më keq se të humbasësh një anëtar të familjes
Sulmuesi i Brazilit dhe Tottenham Hotspurit, Richarlison, ka thënë se eliminimi nga Kupa e Botës Katar 2022 dhemb më shumë se humbja e ndonjë familjari, pasi jug-amerikanët u eliminuan nga Kroacia në çerekfinale me anë të penalltive.
Richarlison dhe shokët e tij të skuadrës në Brazil u eliminuan nga Botërori i Katarit në fazën çerekfinale, duke humbur ndaj Kroacisë në penallti. Pritej shumë nga kombi i Amerikës së Jugut pasi ata konsideroheshin si favoritët për të fituar turneun përpara se të fillonte, por edhe forma e mirë e tyre në ndeshjet paraprake rritën besimin në skuadër.

"Ishte një goditje e madhe, nuk e di. Mendoj se është më keq se humbja e një anëtari të familjes," tha Richarlison për ESPN kur u pyet nëse ai është i zhgënjyer. "Ishte e vështirë të rikuperohesha. Deri më sot, kur shikoj video në rrjetet e mia sociale, më vjen keq. Por duhet të vazhdojmë përpara. Unë jam ende i ri, mendoj se kam ende një ose dy Kupa Bote përpara. Do të vazhdoj të punoj shumë që gjërat të fillojnë të rrjedhin sërish, golat të fillojnë të vijnë, gjë që di të bëj më së miri në fushë”.

Richarlison ishte golashënuesi më i mirë i Brazilit në Kupën e Botës që u mbajt gjatë muajve nëntor e dhjetor të vitit të kaluar, duke shënuar tre gola në katër paraqitjet e tij për skuadrën e udhëhequr nga Tite.

25-vjeçari fitoi edhe çmimin për golin më të mirë të turneut, me golin që shënoi në mënyrë akrobatike kundër Serbisë, në ndeshjet e fazës grupore.
Pasi pësuan një humbje 2:0 ndaj Arsenalit në Premierligë të dielën, Richarlison dhe bashkëlojtarët e tij në Tottenham do të shpresojnë të rikthehen te fitoret kur të vizitojnë kampionin në fuqi të Anglisë, Manchester Cityn të enjten.

