Arsenal shënon fitore prej kampionësh në derbin kundër Tottenhamit, thellon distancën ndaj Manchester Cityt
Arsenali ka shënuar një fitore të mrekullueshme në derbin e Londrës së Veriut, duke mposhtur në udhëtim Tottenhamin 2:0. Fitore kjo që thellon distancën ndaj Manchester Cityt në 8 pikë, duke qenë gjithnjë e më lider i ligës.
“Topçinjtë” kanë të gjithë të drejtën e botës t’i gëzohen momentumit në të cilin po kalojnë. Skuadra londineze nuk di të ndalet, duke dëshmuar se jo rastësisht mban primatin në renditjen tabelore të Premierligës. Në këtë ndeshje, si zakonisht, titullar ishte edhe mesfushori shqiptar Granit Xhaka, i cili regjistroi një tjetër paraqitje dinjitoze.
Gjithçka nisi në formë të shkëlqyer për mysafirët. Për t’i lehtësuar akoma më shumë gjërat mendoi vetë portieri i Spurs, Hugo Lloris.
Në minutën e 15-të ai ishte protagonist i një gafe qesharake, pas goditjes së lehtë të Sakas, me topin që përfundoi në rrjetë, për t’i dhënë kështu epërsinë Arsenalit.
Për hir të vërtetës skuadra e drejtuar nga Arteta kishtr qenë plotësisht mbizotëruese në lojë në çerekun e parë të takimit. Kështu që, me plot meritë arriti ta zhbllokojë rezultatin.
Arsenali vazhdoi që të ishte më konkret, duke mos dalë nga identiteti i vetë i lojës, pavarësisht se luante në një fushë të vështirë siç është ai i Tottenhamit.
Në minutën e 36-të ishte kapiteni i skuadrës, Martin Odegaard, ai që dyfishoi epërsinë e rezultatit. Gol që erdhi në formë spektakolare, pas një goditje drithëruese që përfaqësuesi norvegjez bëri jashtë zonës së 16-metërshit nga pozita ballore.
Në pjesën tjetër të mbetur të derbit ishte më shumë lojë nervash, me Arsenalin që ishte i aftë ta kontrollonte kapitalin prej dy golave, duke konfirmuar kështu një fitore të artë.
Fitoren e fundit si mysafir në derbin e Londrës së Veriut kishte arritur ta bënte tek më 7 shkurt të 2015-ës. Pas shtatë vjetësh rikthehet të mbizotërojë në stadiumin e rivalit të urryer.
Një fitore që vlen jo vetëm 3 pikë shtesë në tabelë, por edhe thellimin e distancës me ndjekësin kryesor, respektivisht Manchester Cityn.
Arsenali kështu shfrytëzoi hapin fals të Manchester Cityt që bëri gjatë fundjavës, duke u renditur në pozitën e parë me 47 pikë. Kurse skuadra e drejtuar nga Guardiola pas në pozitën e dytë tabelore me 39 pikë.

Përmbledhja e ndeshjes Tottenham – Arsenal:
