Rice dhe Jesus me dy gola të vonshëm, Arsenal fiton me përmbysje ndaj Man Unitedit - NACIONALE

Rice dhe Jesus me dy gola të vonshëm, Arsenal fiton me përmbysje ndaj Man Unitedit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Arsenal me shumë mund e ka mposhtur Manchester Unitedin në kryederbin e xhiros së katërt në Premierligë.

“Topçinjtë” një pjesë më të madhe ishin më të mirë se mysafirët, por e vulosen fitoren me dy gola të kohës shtesë, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 3:1.

Arsenal ishte skuadër shumë më mirë në 25 minutat e parë, duke pasur raste të njëpasnjëshme përfshirë Kai Havertz, që dështoi të shënonte përballë portierit.

Sidoqoftë, Man United kaloi në epërsi përmes sulmuesit Marcus Rashford që realizoi me një goditje fantastike pas një asistimi perfekt të Christian Eriksenit (27’).

Mirëpo, qysh në aksionin tjetër Arsenal e barazoi rezultatin me anë të Martin Odegaard që u asistua nga Gabriel Martinelli (28’).

Në pjesën e dytë, derbi doli të jetë shumë i barabartë me Arsenalin që kishte një tjetër mundësi të artë – këtë herë me anë të Bukayo Sakas por edhe anglezi dështoi të shënonte nga afërsia.

Man United në fakt arriti ta dërgojë edhe një herë topin brenda rrjetës me Garnachon mirëpo VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje (88’).

Kur askush nuk e priste, vendasit krijuan një tjetër aksion të shpejtë ku Declan Rice përmbysi rezultatin me një goditje të saktë pas një asistimi të Sakas (90+7').

Ndërsa, fitoren e vulosi qendërsulmuesi Gabriel Jesus duke dribluar për mrekulli mbrojtësin pas asistimit të Fabio Vieiras (90+11').

Me këtë fitore, Arsenal renditet në pozitën e pestë me 10 pikë derisa Man United bie në vendin e 11-të me gjashtë sosh.

Lajme të ngjashme