Retegui shkëlqen me katër gola, Atalanta shkatërron Veronën
Mateo Retegui shënoi katër gola – duke përfshirë një het-trik në pjesën e parë – teksa Atalanta mposhti Veronën 5:0, duke forcuar pozitën e saj në vendin e tretë në Serie A.
Atalanta hyri në ndeshjen e së shtunës me katër pikë avantazh ndaj Juventusit të vendit të katërt, pas fitores dramatike të Bianconerëve ndaj Comos të premten, por nuk pati asnjë problem ta zgjeronte këtë diferencë.
Dy golat e parë të Reteguit erdhën në minutat e 21-të dhe të 25-të. I pari ishte një goditje e saktë pas një topi të kthyer nga shtylla pas tentativës së Charles De Ketelaere, ndërsa i dyti erdhi pas një asisti të shkëlqyer nga Berat Gjimshiti.
Ederson e çoi rezultatin në 3:0 pasi realizoi pas një aksioni personal, por kjo ndeshje ishte e gjitha për Reteguin.
Ai kompletoi het-trikun pak para pushimit, duke përfituar nga një top i Stefan Posch dhe duke e dërguar saktësisht në rrjetë.
Sulmuesi i përfaqësueses italiane vulosi rezultatin në minutën e 56-të, duke finalizuar me sukses pas një pasimi të zgjuar nga Marten de Roon.
Atalanta me këtë fitore 5:0, mbetet në vendin e tretë me 50 pikë, katër pikë larg liderit Napolit dhe një pikë pas Interit të vendit të dytë, megjithëse të dyja këto skuadra kanë ende ndeshje për të zhvilluar këtë fundjavë.
Retegui lojtari i ndeshjes
Retegui është lojtari i parë që shënon katër gola në një ndeshje të Serie A që nga shtatori 2023, kur Lautaro Martinez e arriti këtë për Interin në fitoren 4:0 ndaj Salernitanës.
Ai është vetëm lojtari i gjashtë që arrin këtë shifër në një nga 10 ligat më të mira të Evropës këtë sezon dhe i pari që e bën këtë nga fillimi i vitit.
Me 20 gola në 24 paraqitje këtë sezon në Serie A, Retegui ka regjistruar nisjen më të mirë të një sezoni për një lojtar të Atalantës në historinë e kampionatit italian.