Relevo: Manchester United bën ofertën e parë për Felix, por Atletico kërkon më shumë - NACIONALE

Relevo: Manchester United bën ofertën e parë për Felix, por Atletico kërkon më shumë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester United raportohet se ka ofruar 3.5 milionë funte drejt Atletico Madridit për ta huazuar sulmuesin Joao Felix për pjesën e mbetur të sezonit.

Felix ka qenë titullar vetëm një herë që nga shtatori pasi nuk ka raporte të mira me Diego Simeonen, derisa u la jashtë skuadrës në fitoren 2:0 ndaj Real Oviedo në Kupën e Mbretit të mërkurën.

Man United ka qenë duke e vëzhguar situatën e Felixit dhe tani kanë bërë hapin e parë, pra kanë ofruar 3.5 milionë funte derisa janë të gatshëm t'ia paguajnë pagat lojtarit për pjesën e mbetur të sezonit, raporton "Relevo".

Mirëpo, kjo vlerë është shumë larg kërkesave së "Los Rijoblancos", pasi duan plot 11 milionë funte për ta lejuar portugezin të largohet në formë huazimi.

Trajneri Erik ten Hag është tejet i interesuar për të transferuar një sulmues pasi i ndërprenë kontratën Cristiano Ronaldos në nëntor.

Sidoqoftë, deri me tani situata nuk ka qenë më e mira, me Ten Hag që është njoftuar se këtë janar mundet vetëm të huazojë, pasi Glazers e kanë vendosur klubin në shitje.

Man United kërkoi transferimin e sulmuesit holandez Cody Gakpo, por sulmuesi që shkëlqeu në Kupën e Botës në fund iu bashkua Liverpoolit.

Tani, "Djajtë e Kuq" e duan Felix i cili mund të luajë në mesfushë ose në krahun e majtë.

Felix i kushtoi Atletico Madridit plot 114 milionë funte në vitin 2019, duke qenë adoleshenti më i shtrenjtë në histori dhe ka shënuar 34 gola në 130 paraqitje.

Përpos Man Unitedit, Felix ka qenë i lidhur edhe me huazimin te Chelsea ose Arsenal meqenëse kërkon largimin nga "Wanda Metripolitano".

Lajme të ngjashme