Real Madridi me rezultat komod triumfon ndaj Osasunës, rrit diferencën në 10 pikë ndaj vendit të dytë
Real Madridi ka vazhduar me fitore në La Liga, ndonëse përballja ndaj Osasunës ishte shumë e vështirë në fillim, por që përfundoi me rezultat të thellë 4:2.
Seria pa humbje e Mbretërve tani në La Liga është 23 ndeshje, me të vetmën disfatë që kishte në shtator të vitit të kaluar dhe është rrugës së mirë për titullin kampion, pasi tani është 10 pikë më shumë se vendi i dytë Girona, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Për skuadrën e Carlo Ancelottit gjithçka nisi mirë, kur nga një top i humbur në një zonë të ndjeshme nga mbrojtja vendase, përfitoi Vinicius Juinior, që përball portierit shënoi lehtësisht për 1:0, në minutën e katërt.
Reagimi ishte i menjëhershëm i Osasunës, pasi në minutën e shtatë, pas një tollovie në zonë, asisti i Herrandos gjeti mirë të vendosur Ante Budimirin që nga afërsia shënoi për 1:1.
Pas golit të pësuar Mbretërit u hodhën në sulm. Fillimisht ishte Vini Jr që humbi një mundësi të artë.
Ndërsa epërsinë prej një goli e kthyen në minutën e 18-të me një aksion shumë të bukur, që nisi me një pasim fantastik të Diaz për Valverden në zonë, me këtë të fundit që asistoi për Dani Carvajal që shënoi gol të bukur për 2:1.
Brahim Diaz shënoi për 3:1 pas një aksioni të nisur nga portieri Lunin, me Valverden që ndihmoi me një prekje minimale me kokë.
Për rezultatin 4:1 shënoi Vinicius Junior në minutën e 64-të me një finalizim shembull, ndërsa Valverde kompletoi het-trik me asisste.
Osasuna arriti të shënonte edhe një gol deri në fund të takimit, me anë të Munoz në minutat shtesë, për rezultatin përfundimtar 4:2.
Tani epërsia është 10 pikë ndaj vendit të dytë me nëntë xhiro për t'u zhvilluar, por Girona ka një ndeshje më pak.
Kujtojmë se skuadra e Carlo Ancelottit është rrugës së mirë për shumë trofe këtë sezon dhe së fundmi mësoi kundërshtarin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me Manchester Cityn, që do të jetë kryendeshja dhe finalja para finales.