Real Madridi fiton me dominim total ndaj Granadës, e rrëmben sërish vendin e parë - NACIONALE

Real Madridi fiton me dominim total ndaj Granadës, e rrëmben sërish vendin e parë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Për pak orë Girona rrëmbeu vendin e parë, por tani Real Madridi me fitoren 2:0 ndaj Granadës, e riktheu pozitën, kjo për shkak se në La Liga kur dy skuadra kanë pikë të barabarta shikohen ndeshjet e ndërsjella, që në këtë rast Mbretërit i kanë mposhtur ata në ndeshjen e parë.

Mbretërit janë në seri pozitive, tani me tre fitore radhazi në La Liga, ndërsa në mesjavë shijuan një fitore të madhe me përmbysje ndaj kampionit të Italisë, Napolit.

Sa i përket ndeshjes së sotme, skuadra e Carlo Ancelottit, e dominoi tërësisht takimin, duke poseduar topin në 72% të kohës, teksa ishin të vetmit që krijuan raste në 90 minuta, me mysafirët që nuk regjistruan as edhe një goditje në drejtim apo jashtë portës.

Një asistim i jashtëzakonshëm nga Toni Kroos në minutën e 26-të, me Brahim Diaz që gjeti lehtësisht portën, e çoi Real Madridin në epërsi 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.

Në 45 minutat e dyta u shënua vetëm edhe një gol. Zhvillohej minuta e 57-të, kur fillimisht Jude Bellingham tentoi të shënonte por priti portieri dhe nga topi i kthyer Rodrygo shënoi për 2:0.

Me këtë rezultat përfundoi ndeshja dhe Real Madridi mbretëron në vendin e parë në La Liga, me pikë të barabarta me Gironën, ndërsa shtatë pikë më shumë se Atletico Madrid e Barcelona.

Lajme të ngjashme