Real Madridi e ‘fundos’ Chelsean, shkon në mesin e katër më të mirave
Real Madridi ka shënuar fitore 2:0 ndaj Chelseat në Stamford Bridge, ashtu si në ndeshjen e parë të zhvilluar në Santiago Bernabeu, për rezultatin e përgjithshëm 4:0, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ashtu si në ndeshjen e parë, të kaltrit nga Londra e filluan më mirë takimin dhe kishin iniciativën për të shënuar gol, por Courtois ishte në formë për t’ia mohuar golin.
Mbretërit për dallim nga ndeshja e parë, në këtë të kthimit ishte e përqendruar në kundërsulme dhe në këtë formë arriti t’i shënonte edhe golat.
Të dy golat i shënoi braziliani, Rodrygo në pjesën e dytë të takimit.
Zhvillohej minuta e 58-të kur Militao e gjeti shumë bukur në krah Rodrygon që depërtoi në mënyrë fantastike, dhe pas disa kombinimeve në zonë ishte vet braziliani që shënoi lehtësisht për 1:0.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar shënoi në minutën e 80-të, për golin e dytë personal dhe për 2:0 në këtë takim.
Rezultati i përgjithshëm nga dy takimet ishte 4:0 në të mirë të mbretërve që tani janë në gjysmëfinale dhe pret fituesin nga ndeshja Bayern Munich – Manchester City, me këta të fundit që tashmë janë me një këmbë në gjysmëfinale.
