Real Madridi demolon Elchen, rikthehet me fitore në Laliga - NACIONALE

Real Madridi demolon Elchen, rikthehet me fitore në Laliga

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madridi ka demoluar Elchen duke e mposhtur 4:0. Në këtë takim me gola dhe paraqitje të mirë u dalluan edhe dyshja veterane e skuadrës Karim Benzema dhe Luka Modric.

Sonte është zhvilluar ndeshja e mbetur nga java e 21-të e Laligas. Real Madridi ia doli që të rikthehet te fitorja, pas një humbje zhgënjyese që e kishte përjetuar kundër Mallorcas së Vedat Muriqit.

Epërsinë për “Galaktikët” e shënoi Asensio në minutën e 8-të të ndeshjes. Ai u tregua fantastik me mënyrën sesi lëvizi dhe koordinoi një goditje të mrekullueshme, duke shënuar për 1:0.

Në çerekun e fundit të lojës në pjesën e parë, Benzema shënoi dy gola nga pika e bardhë. Së pari ylli francez u tregua i saktë në minutën e 31-të.

Më pas, në minutën 45+1’ sërish nuk gaboi nga 11-metërshi, duke shënuar për trefishimin e epërsisë. Gol ky që i dha siguri të madhe ekipit mbretëror edhe për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Qershia mbi tortë për tifozët madrilenë erdhi në pjesën e dytë. Në minutën e 80-të një herë fituesi i Topit të Artë, Modric, shënoi një gol tej mase të bukur në kufinjtë e vijës së 16-metërshit.

Pas kësaj fitore Real Madridi renditet gjithmonë në pozitën e dytë tabelore me 48 pikë të tubuara. Gjithsesi, dallimi në pikë me rivalin e saj të përhershëm, Barcelonën, mbetet akoma i lartë. Pra, prej 8 pikëve.

Përmbledhja e ndeshjes Real Madrid - Elche:

Lajme të ngjashme