Real Madrid optimist në transferimin e Alphonso Davies në verë
Real Madrid thuhet se është më i sigurt se kurrë se në verë do ta kompletojnë transferimin e mbrojtësit Alphonso Davies.
Kanadezi është ndër yjet e skuadrës gjermane, ku iu bashkua në vitin 2018 dhe ka bërë 167 paraqitje duke shënuar tetë gola si dhe regjistruar 28 asistime në proces.
Sidoqoftë, me dy vite të mbetura në kontratë Bayern ende nuk e ka bindur për rinovim, andaj spekulimet e lidhin atë me kalimin e mundshëm te Real Madrid.
Klubi madrilen është admirues i madh i 22-vjeçarit dhe sipas “Relevo”, janë optimist që do të sigurojnë shërbimet e mbrojtësit të majtë në verë.
Raporti shton se Davies ka refuzuar disa oferta për të rinovuar me gjigantin gjerman, andaj Bayern mund të detyrohet të pranojë ta shesë në mënyrë që të mos e humb si agjent të lirë.
Bayern Munich do të veprojë ngjashëm njësoi si me lojtarët e tjerë, pra nuk pranon që futbollisti të nis sezonin me vetëm 12 muaj të mbetur në kontratë kësisoj do të tentojë ta shesë.
Davies ka fituar pesë herë titullin e Bundesligas, dy herë Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve gjatë kësaj periudhe, por thuhet se është i hapur për një fazë të re në karrierë.
“Los Blancos” mbeten të pakënaqur me mbrojtësit e krahut të majtë aktualisht dhe kjo vërehet pasi Carlo Ancelotti e aktivizon Edouardo Camavingan në atë pozitë para dyshes Ferland Mendy dhe Fran Garcia.
Bayern për kanadezin do të kërkojë rreth 50 milionë euro, ofertë që Reali mund ta bëjë vetëm nëse shet ndonjërin mes Garcias dhe Mendyt.