Reagon Llapi: Klubit nuk i është ndaluar merkato, po mundohen ta dëmtojnë imazhin e klubit - NACIONALE

Reagon Llapi: Klubit nuk i është ndaluar merkato, po mundohen ta dëmtojnë imazhin e klubit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Klubi i Llapit ka reaguar me një komunikatë zyrtare ku ka demantuar zërat se i është ndaluar pjesmarrja në tregun e transferimeve nga FIFA.

Klubi ka reaguar me një komunikatë të gjërë e të gjatë rreth raportimeve të vazhdueshme në medie se shtëpia më e madhe e futbollit në botë, FIFA, ka bllokuar merkaton për të, për shkak të borgjeve ndaj ish-lojtarëve të kësaj skuadreje.

Ndër të tjerash, Llapi ka kërcënuar me padi mediumet që raportojnë në pretendime të tilla, teksa ka potencuar se, "pas disa mesazheve të shkëmbyera me FIFA-n", kanë ardhë në përfundim se klubit nuk i është bllokuar merkatoja.

Për më tepër, llapianët në mënyrë indirekte, pak a shumë kanë pranuar se diçka ka të vërtetë në këto raportime, teksa kanë kritikuar persona të brendshëm që shpërndajnë informacione në medie.

Komunikata e plotë e Llapit:


Duam të njoftojmë opinion sportiv se këto ditë kanë qarkulluar lajme në portale, duke nisur nga Gazeta Olle se skuadrës sonë i është bllokuar merkato dhe ne si klub nuk kemi dashur të reagojmë pa pranuar konfirmimin zyrtar nga FIFA.
Sot kemi pranuar lajmin nga FIFA se KF Llapit nuk i është bllokuar merkato, pas disa mesazheve dhe sqarimeve me FIFA-n dhe i lusim portalet dhe ata persona që janë afër këtyre portaleve se duhet të kontaktojnë fillimisht me personat kompetent pranë klubeve para se të publikojnë lajme që mund edhe ta dëmtojnë imazhin e klubeve në këtë kohë kur kampionati është afër për të filluar.
Pranë disa portaleve mund të ndodh që edhe ndonjë skuadër është e përfshirë pasi iu ka hyrë herët frika dhe po mendojnë se mund ta ulin imazhin e KF Llapit dhe se nëse vazhdohet me këso lajmesh tendencioze nuk do rrimë duarkryq por do të ngremë padi në gjykatat tona sepse po dëmtohet imazhi i një klubi me traditë dhe me një organizim që shumë klube e kanë ëndërr të vijnë këtu ku është tashmë KF Llapi.
Reagojmë edhe ndaj disa personave kompetent që shpërndajnë informacione të brendshme, që puna e tyre është të ruajnë informacionet e brendshme brenda institucionit ku punojnë por nëse edhe një herë tjetër ndodh e njëjta gjë pa shikuar mirë se çfarë fshehet prapa saj do kenë pasoja.
Po ashtu njoftojmë opinionin se KF Llapi ka regjistruar me kohë të gjithë futbollistët për edicionin garues 2022/23 dhe të gjithë kanë drejtë loje nga ndeshja e parë e edicionit ndaj Drenicës që zhvillohet më 14.08.2022 në Stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj.
Ne vazhdojmë punën dhe do t’ia dalim drejt synimit që kemi duke i mposhtur edhe ata që janë jashtë fushës së gjelbër.

Lajme të ngjashme