“Re Agim”: Klubet kosovare njëzëri mbështesin FFK-në në "presionin" ndaj mediave
Klubet kosovare njëzëri (pra me komunikata të ngjashme) kanë mbështetur Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) në "presionin" ndaj mediave, duke kritikuar edhe gazetarin Baton Haxhiu për opinionin që dha ditën e martë.
80 për qind e klubeve të Superligës së Kosovës publikisht dhanë mbështetje ndaj kryetarit Agim Ademi, por ajo që është më qesharake është fakti se komunikatat ishin shumë të ngjashme, e disa prej tyre u “kopjuan” nga klubet e Ligës së Parë.
Çka ndodhi?
Të martën gazetari Baton Haxhiu kritikoi FFK-në më saktësisht kryetarin Agim Ademi, se si e ka nënshtruar botën e futbollit në Kosovë. Ai përmendi ndër të tjera faktin që edhe pse kanë kaluar 25 vite nga çlirimi, në Kosovë – ende nuk ka asnjë fushë me bari natyral.
E kjo duket se iu dhembi klubeve kosovare. 8 nga 10 që luajnë në elitën e futbollit reaguan menjëherë. Të gjitha mbajtën anën e Agim Ademit, duke e mbështetur me komunikata shumë të ngjashme.
Kampioni i Kosovës Ballkani ia bëri sefte, duke kritikuar Haxhiun dhe e quajtur person që “nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe kurrfar ndikimi në këtë lëmi”.
E pas tyre, erdhën menjëherë reagimet e rivalëve si SC Gjilani, KF Ferizaj, KF Malisheva, KF Llapi (më saktësisht trajneri Tahir Batatina), KF Dukagjini, KF Ferizaj dhe FC Feronikeli ’74 (skuadër kjo që shpesh herë as nuk i bën publike formacionet zyrtare para ndeshjeve).
Të gjitha komunikatat ishin të ngjashme njëra më tjetrën, pra kritikuan opinionin e Haxhiut dhe pak a shumë bënë të qartë se e mbështesin plotësisht kryetarin Ademi.
Të vetmet klube që nuk reaguan ishin FC Prishtina dhe KF Drita, klube të cilat e kanë kritikuar edhe më parë kryetarin Ademi.
Reagimet e klubeve elitare nuk ishin të mjaftueshme, atyre iu bashkuan edhe klubet e Ligës së Parë dhe të Dytë të Kosovës. Edhe më qesharake e bën fakti se disa kopjuan komunikatat e klubeve të Superligës.
Shembull konkret ishte komunikata zyrtare e KF Flamurtarit, që ishte kopje komplete e shkrimit të Ballkanit, përpos që kanë ndryshuar emrin si dhe në rastin kur suharekasit tregojnë se investojnë miliona euro, Flamurtari e ndryshoi në “investim me mijëra euro”.
Ndër reagimet më të ashpra ishte nga klubi i Ligës së Parë KF Kika, e cila ishte sulm direkt ndaj gazetarit Haxhiu, të cilit iu referohen si “argat i Serbisë”.
Si erdhi puna te kjo situatë?
FFK-ja të hënën bëri kërkesën absurde drejt Komisionit të Pavarur të Mediave si dhe AGK-së që të ndërhyjnë në emisionet sportive.
Normalisht, AGK-ja reagoi ashpër në këtë kërkesë qesharake, duke e vlerësuar si “presion i hapur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë”.
“AGK-ja, e konsideron këtë letër të hapur të FFK-së, si të papranueshme dhe presion të hapur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë.
Liria e shprehjes dhe liria e medies janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe është detyrë e gazetarëve dhe medieve, që ta mbajnë FFK-në përgjegjëse për vendimet dhe veprimet e saj”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e AGK-së.