Rashani kthehet në Francë shkaku i lëndimit, konfirmon drejtori i Kombëtares
Sulmuesi Elbasan Rashani ka pësuar një lëndim muskulor në stërvitje dhe do rikthehet në Francë, duke mos arritur të paraqitet në asnjërën prej dy miqësoreve të Kosovës këtë muaj, këtë e ka konfirmuar drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti për Gazeta Nacionale.
Kombëtarja e Kosovës dje arriti një fitore të madhe në shtëpi ndaj Burkina Fasos me rezultat 5:0 në “Fadil Vokrri”, në të cilën ylli i Clermont nuk zhvilloi asnjë minutë.
“Dardanët” e nisën për mrekulli ndeshjen e parë nën urdhrat e teknikut francez, Alain Giresse duke zhvilluar një super paraqitje ndaj gjysmëfinalistit të Kupës së Afrikës.
Edhe pse Giresse kompletoi disa zëvendësime, pamë që nuk i dha asnjë minutë sulmuesit të krahut, Elbasan Rashani dhe për këtë ka një arsye shumë serioze.
Ylli i Clermontit ka pësuar lëndim në stërvitje me “Dardanët” para ndeshjes ndaj Burkina Faso, ku ka pasur një tërheqje muskulore.

Këtë për Gazeta Nacionale, e ka konfirmuar drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti. Ai tha që Rashani do rikthehet në Francë që të rikuperohet dhe do humbas ndeshjen ndaj Zvicrës.
“Po, ka pësuar lëndim në fakt pardje, është një tërheqje muskulore dhe i duhet një javë kohë që të shërohet plotësisht. Për këtë arsye, ai nuk zhvilloi asnjë minutë dje dhe do t’i duhet të rikthehet në Francë që të rikuperohet. Nuk është ndonjë lëndim i rrezikshëm, por do humbas edhe ndeshjen ndaj Zvicrës”, deklaroi ai për Gazeta Nacionale.
Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës të martën e ardhshme do të zhvillojë ndeshjen ndaj Zvicrës. Kjo ndeshje është vlerësuar si miqësore, duke marrë parasysh se kemi shqiptarë si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri që përfaqësojnë Zvicrën.
Para ndeshjes ndaj Kosovës, disa orë më parë ka folur edhe Xhaka, që në fakt do jetë ndeshja e 100-të në fanellën e Zvicrës dhe theksoi se do jep gjithçka që të fitojë.
“Çast shumë emocional. Jam jashtëzakonisht krenar që do ta luaj ndeshjen e 100-të në fanellën e Zvicrës. Dhe e kam kundërshtarin e përkryer për këtë përvjetor! E tërë familja ime jeton në Kosovë”.
“Duhet të jetë një ndeshje në udhëtim për ne në Letzigrund. Sikur t’i ftoja të gjithë që donin të vinin, do të duhej ta merrja me qira tërë stadiumin. Miqtë e mi më të afërt do të jenë aty natyrisht. Do ta shijoj ndeshjen, në fakt i njoh të gjithë kundërshtarët [Lojtarët e Kosovës]. Natyrisht se do të jap gjithçka për ta fituar edhe këtë ndeshje”.
Ndërkohë, përballja zhvillohet në Cyrih, të martën e ardhshme me fillim nga ora 18:00.