Raphinha te Barcelona, klubet arrijnë marrëveshjen - NACIONALE

Raphinha te Barcelona, klubet arrijnë marrëveshjen

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi brazilian, Raphinha, më në fund do të ketë mundësi që ta përmbushë ëndrrën e tij, pasi Barcelona ka gjetur marrëveshjen me Leeds për kartonin e tij.

Kishte javë të tëra që Raphinha këmbëngulte të transferohej në "Camp Nou". Pas disa sezoneve të mira të luajtura në Premierligë, sulmuesi 25-vjeç vendosi që të ndryshojë ambient, duke mos shfaqur gatishmëri të qendrojë te Leeds.



Barcelona pas një sëri përpjekjesh për ta gjetur formulën adekuate për ta gjetur ujdinë me Leeds, sot ia doli që t'i mbyllë negociatat me sukses.

Raphinha do të jetë lojtar i Barcelonës dhe zyrtarizimi do të vijë shumë shpejt. Ai do të transferohet te gjiganti spanjoll për një shumë rreth 58 milionë euro. Nëse llogariten edhe bonuset, të cilat janë të përfshira në marrëveshjen e arritur mes klubeve, atëherë shifrat shkojnë në 67 milionë euro gjithsejt.

Nga eksperti i transferimit të lojtarëve, Fabrizio Romano, thuhet se Raphina e ka dashur kalimin te Barcelona që prej shkurtit, kur atij iu bë me dije se katalonasit ishin të interesuar për kartonin e tij.

Kësisoj, sulmuesi brazilian do të nënshkruajë kontratë pesë (5) vjeçare me Barcelonën. Ardhja e Raphinha padyshim që vë në lajthitje të ardhmen e Dembeles, i cili akoma nuk dihet se ku do ta vazhdojë karrierën e tij gjatë javëve në vijim.



Raphinha te Leeds në 65 paraqitje të zhvilluara, ka shënuar 17 gola. Falë paraqitjeve të tij të mira, ai ka arritur që ta fitojë edhe vëmendjen e Kombëtares së Brazilit, ku është ftuar në dy vitet e fundit. Me fanellën e kombëtares ai ka shënuar 3 gola në 9 paraqitje në tërësi.

Xavi me ngulm ka dashur që ta ketë në radhët e veta Raphinan para se të nisë edicioni i ri në La Liga. Laporta më në fund ia doli që ta bindë Leedsin që të privohet nga sulmuesi brazilian, në mënyrë që t'ia mundësojë stafit teknik të skuadrës katalonase që ta ketë pjesë të organikës nga faza e hershme përgatitore verore.

Lajme të ngjashme