Ramos s’pendohet që u largua nga Reali, por e pranon se "gjithçka shkoi keq"
Sergio Ramos ka këmbëngulur se nuk ka asnjë pendesë për largimin nga Real Madridi dhe kalimin në Paris Saint-Germain, por e pranon se gjithçka kishte shkuar keq për të në Francë në fillim.
Mbrojtësi legjendar, fitues i Kupës së Botës dhe Evropianit me Spanjën, i dha fund karrierës 16-vjeçare në Real Madrid duke iu bashkuar kampionit francez në verën e vitit 2021.
Ai i kishte bërë 671 paraqitje për Realin, duke i shënuar 101 gola, dhe i kishte ndihmuar klubit t’i fitojë pesë titull në La Liga dhe katër në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, ai vendosi ta kërkojë një sfidë të re duke iu bashkuar gjigantit francez si lojtar i lirë.
Largimi nga Real Madridi ishte ndryshim i madh në jetën e spanjollit.
“Natyrisht largimi nga Real Madridi ishte një ndryshim i madh. Qëllimi im është gjithmonë të vazhdoj të fitoj. Fitova shumë me Real Madridin, por mendoja se ishte një mundësi e mirë për ndryshim skenari... të përpiqem ta ndihmoj një ekip si PSG-ja”, tha Ramosi për faqen e UEFA-s.

Duke folur për kalimin në Paris, ai shtoi: “Çdo gjë ishte shumë e vështirë në fillim. Duhet ta gjesh shtëpinë dhe të vendosesh së pari, veçanërisht kur vjen me familje, me katër fëmijë. Ishte e vështirë në fillim, por çdo gjë ka funksionuar pastaj”.
Ramosi e pati një sezon të vështirë debutues për PSG-në, duke i bërë vetëm 13 paraqitje për shkak të lëndimeve.
Por tani ai është plotësisht i përshtatur me jetën jashtë atdheut, duke u bërë figurë kyçe për PSG-në, përkrah yjeve si Lionel Messi, Kylian Mbappe e Neymar në sezonin 2022/23.
