Përzgjedhësi i ri Spanjës: Ramos është vetë futbolli spanjoll, ka gjasa të njëjta për t'u ftuar si gjithë të tjerët
Luis de la Fuente si përzgjedhës i ri i Spanjës ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në kombëtare për Sergio Ramos. Mbrojtësi spanjoll nuk ishte ftuar nga Luis Enrique në Kupën e Botës që u zhvillua në Katar.
Dalëngadalë po rikthehet në një formë solide me PSG. Sergio Ramos ka qenë gjithmonë i lidhur me ngjyrat e kombëtares spanjolle, por viteve të fundit nuk kishte hasur në besimin e ish-përzgjedhësit Enrique, i cili e la jashtë listës për ndeshjet vendimtare dhe ngjarjet madhore.
Sido që të jetë, diçka e tillë ka ndryshuar me emërimin e Luis de la Fuente në krye të stafit teknik të Kombëtares së Spanjës. Ai thuri lëvdata të mëdha për Ramosin.
“Të flasësh për Sergio Ramos është e njëjtë si të flasësh për historinë e futbollit spanjoll. Bëhet fjalë për një futbollist të jashtëzakonshëm dhe fantastik. Përveç tjerash, po luan akoma në një nivel shumë të lartë. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe lojtarët tjerë të moshës së tij ose më të rinj, por që të gjithë kanë mundësitë e njëjta për t’u ftuar”, shtoi ai.

Ai zbuloi edhe se çfarë dëshiron të ketë nga bërthama e lojtarëve që do t’i ftojë në grumbullimet e ardhshme, në prag të fillimit të kualifikimeve për Evropianin 2024.
“Ajo çfarë dua është që të kem lojtarë të mëdhenj. Më të mirët. Lojtarët që janë të aftë të krijojnë një skuadër. Për mua kjo është më e rëndësishmja. Të flas për Sergio Ramos ose për lojtarë tjerë veteranë nuk më prodhon asnjë stres ose tension për mua”, tha ai.
Me Kombëtaren e Spanjës mbrojtësi 36-vjeçar ka bërë 180 paraqitje, duke shënuar 23 gola. Ai ka debutuar më 26 mars të vitit 2005 kundër Kinës. Ndërsa hera e fundit që ishte aktivizuar në fushë me Spanjën daton pesë vjet më parë, pikërisht në sfidën kundër Kosovës, e cila përfundonte 3:1. Në këtë ndeshje të zhvilluar në Sevilla, ai kishte luajtur për 4 minuta.
