Qëndrim Zyba shkëlqen dhe transformon Prishtinën në pjesën e dytë, Ballkani ruan kreun e Superligës - NACIONALE

Qëndrim Zyba shkëlqen dhe transformon Prishtinën në pjesën e dytë, Ballkani ruan kreun e Superligës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përfunduan dy ndeshjet që ishin sot në program për javën e 25-të të Superligës së Kosovës. Prishtina u rikthye te fitorja për t'i dhënë pak oksigjen vetes, duke mposhtur Ulpianën me rezultat 2 me 0, kurse Ballkani fitoi pa shumë mund ndaj Feronikelit, me rezultat të thellë 5 me 0.

Kjo e sotmja ishte një ndeshje përcaktuese për fatin e Prishtinës, meqë kjo e fundit po përballet në një periudhë gri, me probleme financiare, bojkotim stërvitjesh e deri te shumë zëra që e kanë kapluar atë këto ditë.

Prishtina e nisi zbehtë takimin e sotëm, me mysafirët që ishin vazhdimisht më të rrezikshëm, por shpërdoruan aksione të shumta që mund t'i sjellnin te goli i epërsisë. Në anën tjetër, Prishtina gjatë pjesës së parë u duk e lodhur dhe pa shumë ambicie, ku reflektohej shumë edhe mungesa e stërvitjeve të plota, pasi ç'akordimi në mes të reparteve dhe vendosja në distancë të gjatë mes lojtarëve të saj - e bënte të dukej atë shumë të lexueshme në lojë.

Sido që të jetë, nga këto zbrastira dhe çalesa nuk përfituan ulpianasit. Me të nisur pjesëloja e dytë, gjithçka ndryshoi, pasi trajneri i Prishtinës, Abdulah Ibrakovic, bëri dy zëvendësime të shpejta. Që prej atij vendimi për të freskuar ekipin me zëvendësimet e para, diametralisht ndryshoi gjithçka. Ishte Qëndrim Zyba ai që i dha dinamikën e munguar Prishtinës, me gjeometrinë e tij që klubit kryeqytetas i mungonte prej kohësh, marrë parasysh kohëzgjatjen e lëndimit që e la lojtarin e kombëtares U-21 jashtë fushave të blerta.

Ishte mu Qëndrim Zyba ai që me një goditje nga pozita ballore të saktë, milimetrike, dërgoi topin në cepin e lartë të këndit të djathtë të portës, duke mos i dhënë asnjë mundësi Drilon Ajetit që të bënte më mirë dhe ta neutralizonte atë goditje.

Kësisoj, inkuadrimi i Qëndrim Zybës i dha impakt të madh Prishtinës në ndeshje dhe e bëri Ulpianën të duket pasive, krejtësisht ndryshe nga ajo që tregoi në lojë gjatë pjesës së parë.

Më pastaj nuk vonoi shumë edhe goli i dytë i Prishtinës, ai i sigurisë, që barti firmën e Mankendas.

Deri në fund Ulpiana u mundua që të rikthehej në lojë me anë të disa aksioneve sulmuese, por ishin shumë të ngadalta dhe aspak të rrezikshme. Kështu Prishtina merr paksa oksigjen, pas një pozite të vështirë që ishte futur javën e kaluar kur humbi ndaj Dukagjinit me rezultat 2 me 1 dhe i largohet disi zonës së mbijtesës.

Për Ulpianën kjo ishte një humbje e rëndë, meqë ia ndërlikon rrugën drejt mbijetesës, ku me 25 pikë të arkëtuara zë vendin e parafundit me dy pikë më pak se Malisheva, me këtë të fundit që ka ende ndeshjen e saj për ta zhvilluar gjatë ditës së nesërme ndaj Dritës në cilësinë e nikoqires.

Në ndeshjen tjetër që u luajt në Therandë, Ballkani i Ilir Dajës siguroi fitore të pritur, duke triumfuar me rezultat 6 me 0 ndaj Feronikelit që është duke u paraqitur me lojtarë juniorë në këtë fazë të dytë të kampionatit, ku vetëm matematika ende po i mban në Superligë, sepse asgjë tjetër nuk mund t'i shpëtojë nga rënia prej ligës. Kjo fitore mundëson që Ballkani të jetë lider i kampionatit edhe për këtë javë, duke kryesuar me 4 pikë epërsi ndaj Gjilanit, që nesër e pret Llapin në përpjekje për ta ngushtuar dallimin me pikë në garën për titull.
Gjithsesi, golat për Ballkanin i shënuan Armend Thaqi, Meriton Korencia, Blendi Baftiu, Mevlan Zeka dhe për fund ishte mitrovicasi Arbër Potoku që me dygolëshin e tij vulosi rezultatin që përkon me një set tenisi, prej 6 me 0.

Nesër do të përmbyllet java e 25-të e Superligës me këto takime:

13:00h| Drenica - Malisheva
13:00h| Dukagjini - Drita
13:30h| Gjilani - Llapi

Lajme të ngjashme