Psikologu Enis Zuka flet për situatën 'Drita - Intelektualët', e sheh të domosdoshme praninë e psikologëve në sport - NACIONALE

Psikologu Enis Zuka flet për situatën 'Drita - Intelektualët', e sheh të domosdoshme praninë e psikologëve në sport

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Psikologu, Enis Zuka, së fundmi në rrjetet sociale ka trajtuar një temë të nxehtë në futbollin kosovar, ku përfshihet një tension që eskaloi në dhunë mes kryesisë së Dritës dhe grupit të tifozëve Intelektualët.

Tensioni mes kryesisë së Dritës dhe Intelektualëve është i pranishëm që një kohë të gjatë, me këta të fundit që kërkuan shkarkimin e Drejtorit Sportiv, Valon Zymberi, madje për një kohë edhe bojkotuan klubin.

Por, nga tensioni, situata eskaloi në dhunë, ku pas humbjes nga Prishtina në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pati skena të tmerrshme dhe të pahijshme për futbollin kosovar.

Valon Zymberi me disa zyrtarë të tjerë të klubit fillimisht sulmuan një tifoz afër stadiumit me të përfunduar ndeshja, ndërsa nuk u ndalën me kaq, dhe sulmuan edhe kryetarin e Intelektualëve, Taulant Byqmetin, në vendin e tij të punës.

Enis Zuka, me profesion psikolog, ka dhënë këshilla se si dukuri të tilla mos të ndodhin më, duke shtuar se është e domosdoshme prania e psikologëve sportiv në klube.

Reagimi i Enis Zukës, pa ndërhyrje

Çështje kohe/ herët apo vonë- Psikologët duhet të jenë brenda ekipeve të sportit!

I motivuar nga ngjarjet e fundit në sportin tonë, theks të veçantë futbollin, dua të ndaj me ju disa rreshta të trajtimit të këtyre çështjeve nga aspekti psikologjik.

Futbolli si sport konkurues sjell emocione që rrjedhin nga pasioni e dëshira per rezultat, për tu bërë më i mirë se tjetri dhe për të dominuar. Si pasojë këto veprime e aktivizojnë shumë hemisferën e djathtë të trurit- përgjegjëse për reagime emocionale, dhe e bllokon hemisferën e majtë- përgjegjëse për reagim racional/ të kontrolluar. Rrjedhimisht, kjo të qon tek reagimet impulsive e ato deri ato agresive.

Tifozi është i tillë, mund të reagoj, mund të gaboj, por në esencë reagimet e tij nuk paraqesin vendim-marrje apo dëmtim të imazhit të klubit në aspektin organizativ apo profesional. Në këtë rast barra bie mbi njerëzit me pozita që duhet të tejkalojnë egon personale dhe të reagojnë me racionalitet në situata ku mund të provokohesh për të kundërtën.

Një psikolog që merret me sportistët në plan programin e tij të punës i parasheh këto situata, krijon masa paraprake të parandalimit, dhe ofron teknika të kontrollimit emocional e që do të shërbenin që këto situata mos të përsëriten.

Gjithashtu, ofrohen programe të komunikimit me publik/ shikues, tifozë dhe ultras.

Rolet e presidentit të klubit, drejtorit sportiv, apo pozita të ngjajshme duhet të jenë role unifikuese, urë-lidhëse, dhe tension shmangëse. Kronologjikisht po ta analizojmë situatën me tifozët dhe kryesinë e Dritës e kuptojmë që qëndrimi egocentrik i këtyre të fundit e ka manifestuar tensionin edhe tek tifozët, dhe ka përfunduar me tension edhe tek vet ata.

Uroj që këto situata të mos përsëriten më, dhe uroj që trajtimi i shëndetit mendor brenda skuadrave sportive të merr rolin e merituar!

Kujtojmë se Policia për rastin në fjalë, ka ndalur në mbajtje për 48 orë Valon Zymberin dhe dy persona të tjerë, dhe për pak çaste pritet vendimi nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake.

Lajme të ngjashme