PSG zhgënjen sërish, barazon kundër Reims - NACIONALE

PSG zhgënjen sërish, barazon kundër Reims

3 vjet më parë

nga NACIONALE

PSG ka barazuar 1:1 kundër Reims, në ndeshjen që u zhvillua në kuadër të javës së 20-të të kampionatit francez. Kjo ishte ndeshja e dytë me radhë që parisienët nuk arkëtuan fitore. Në këtë takim Arbër Zeneli luajti vetëm 23 minuta.

Kampionia në fuqi e Francës, PSG, nuk e ka nisur këtë vit të ri kalendarik në mënyrën më bindëse të mundshme. Të besuarit e Galtier nuk po arrijnë që të jenë në elementin e duhur të formës.

Sonte, PSG ishte nikoqir i Reims. Pjesa e parë ishte surreale, pasi mbizotërimi në lojë u takoi mysafirëve, ndonëse vendësit hyrën në ndeshje me potencialin e vet maksimal sulmues, gjegjësisht me trinomin Messi, Mbappe, Neymar.

Gjithsesi, PSG arriti ta gjejë golin e epërsisë tek në minutën e 51-të të pjesës së dytë. Neymar, pasi u shërbye nga Bernat, nga afërsia tundi portën kundërshtare.

Në vazhdim të takimit gjërat nisën të ndërlikoheshin për nikoqirët, pasi Verratti u ndëshkua me karton të kuq direkt.

Nga minuta e 75-të hapësirë në ndeshje pati edhe përfaqësuesi kosovar, Arbër Zeneli. Kur të gjithë po mendonin që ndeshjes po i vinte fundi me një fitore me rezultat minimal në favor të PSG, ndodhi e papritura.

Një pasim shumë i mirë filtrues nga Doumbia, gjeti të lirë Balogun, i cili nuk gaboi përball portierit, duke shënuar për 1:1 në minutën e 90+6’ të takimit.

Gojëhapur e mosbesues ishte Galtier, i cili u desh të pajtohej me këtë barazim, që rihap shumë (të paktën në letër) garën për titull.

Tani PSG ka 48 të arkëtuara, duke u renditur në pozitën e parë. Në rastin e Reims ajo zë vendin e 11-të tabelor me 26 pikë.

Përmbledhja e ndeshjes PSG - Reims:

Lajme të ngjashme