PSG-ja jashtë Ligës së Kampionëve: A ka ardhur koha që ta shkatërrojë projektin? - NACIONALE

PSG-ja jashtë Ligës së Kampionëve: A ka ardhur koha që ta shkatërrojë projektin?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tentimi i 11-të radhazi i Paris Saint-Germainit për ta fituar Ligën e Kampionëve përfundoi me më shumë mjerim – pra a ka ardhur koha që ky klub ta shkatërrojë projektin dhe t’ia nisë nga e para?

Bayerni e rrëzoi kampionin francez nga gara me fitore të përgjithshme prej 3:0 nga të dy ndeshjet e fazës së një të tetës së finales, pas triumfit 2:0 në Gjermani të mërkurën.

Një ekip me dy prej lojtarëve më të shtrenjtë në histori – Neymar, i cili ishte i lënduar dhe mungoi në ndeshjen e djeshme dhe Kylian Mbappe – si dhe me mbase lojtarin më të mirë në historinë e futbollit, Lionel Messi, dështoi të shënojë gol në 180 minuta lojë.

Projekti i Paris Saint-Germainit u ndërtua për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe ky klub ka qenë tejet larg arritjes së këtij qëllimi. Përfundimisht po duket se ky do të jetë një dështim”, tha ish-ylli i Chelseat dhe Anglisë, Joe Cole për BT Sport.

Ish-mesfushori i Anglisë, Owen Hargreaves, tha: “Ata kanë shumë individë të shkëlqyer. Ky nuk është ekip. Është e turpshme. Ata i kanë bashkuar kaq shumë lojtarë të mrekullueshëm por po shkojmë mbrapa”.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri i PSG-së Christophe Galtier tha: “Ky është zhgënjim i madh. Duhet ta pranojmë dhe të merremi me këtë.”

“Nuk e di nëse është mësim për ne, por zemërimi është i madh. Sikur të shënonim të parët, gjërat do të ishin ndryshe, por nuk e bëmë”.

Koha për t’ia filluar nga e para?

PSG-ja i ka shpenzuar mbi 1 miliard euro në blerjen e lojtarëve të rinj qëkur Katari e mori në pronësi klubin në vitin 2012 dhe i ka fituar tetë prej 10 titujve në Ligue 1 dhe 12 kupa shtetërore me pronarët e rinj.

Por Liga e Kampionëve ka qenë ëndrra e pronarëve, e cila tani duket edhe më e paarritshme. Pasi arriti deri në çerekfinale në katër sezonet e para, PSG-ja u rrëzua në rrethin e 16 më të mirëve në pesë prej shtatë sezoneve të fundit.

Më së afërmi përmbushjes së synimit erdhi më 2020, kur arriti në finale, por u mposht nga Bayerni.

Skuadrat e PSG-së ndër vite kanë qenë të mbushura me superyje dhe sulmues plot talent – por jo të qëndrueshme apo baraspeshuara.

PSG-ja duhet ta shkatërrojë të gjithë projektin dhe t’ia fillojë nga zeroja. Në Paris ata i kanë talentet më të mira të futbollit në gjithë botën”, tha Hargreaves, ish-mesfushori i Bayernit.

Lajme të ngjashme