Pse po përpiqet Ademi ta mohojë faktin se UEFA e kishte pezulluar dhe pse po gënjen që gjykata e ka shpallur të pafajshëm? - NACIONALE

Pse po përpiqet Ademi ta mohojë faktin se UEFA e kishte pezulluar dhe pse po gënjen që gjykata e ka shpallur të pafajshëm?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i ka vazhduar përpjekjet dëshpëruese për t’i mohuar dhe shtrembëruar dy fakte në prag të zgjedhjeve në shtëpinë e futbollit, që UEFA e kishte pezulluar qoftë shkurtimisht dhe se gjoja Gjykata Supreme e ka shpallur të pafajshëm për veprën penale detyrim në tentativë.

Në një reagim në llogarinë e vet në Facebook të martën pasdite, një ditë pasi UEFA e konfirmoi për Gazetën Nacionale se e kishte pezulluar në verën e vitit 2020, Ademi e mohoi përsëri se ishte pezulluar në atë kohë.

“Sot FFK ka pranuar nga UEFA letrën sqaruese, në të cilën letër UEFA konfirmon se ndaj meje nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vendim ndalese”, shkroi Ademi në Facebook.

Për më tepër, ai pretendon se Gjykata Supreme e ka shpallur të pafajshëm, gjë që nuk është e vërtetë. Më shumë rreth kësaj më poshtë këtij shkrimi.

“Siç mund të shihni nga kjo letër, ndaj meje nuk ka asnjë vendim dhe as ndalesë nga ndonjë organ i UEFA-së, ndërsa vendimi i cili ka qarkulluar në media, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë efekt juridik pasi që ishte anuluar nga vet organi përkatës i UEFA-s, sepse Gjykata Supreme e Kosovës me anulimin e aktgjykimeve respektivisht kthimit të çështjes në rivendosje, kishte gjetur se përfundimet e instancave tjera gjyqësore nuk ishin të bazuara në prova dhe fakte, respektivisht kishte nxjerr konstatime rreth pafajësisë sime në këtë çështje”, shtoi ai.

Si qëndron e vërteta

Dje UEFA konfirmoi për Gazetën Nacionale se e kishte pezulluar Ademin nga ushtrimi i çdo aktiviteti që ndërlidhet me futbollin në vitin 2020, para se ta shfuqizonte më vonë atë vendim të Organit për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB).

“Organi për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB) i UEFA vendosi për këtë çështje më 20 gusht 2020. Megjithatë, ky vendim i CEDB -s nuk është më i vlefshëm ligjërisht, sepse ishte shfuqizuar nga një vendim tjetër i CEDB”, tha për Nacionalen UEFA të hënën.

Madje në letrën që UEFA ia ka dërguar ushtrues të detyrës të Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodajt, thuhet qartë se Ademi ishte pezulluar më 20 gusht, por vendimi ishte shfuqizuar më 3 shtator.

Kjo nënkupton se Ademi ka qenë i pezulluar për dy javë, apo 14 ditë.

E gjithë kjo katrahurë po ndodh në prag të zgjedhjeve presidenciale në FFK, për të cilat 60-vjeçari akuzohet se e ka shkelur Statutin e federatës duke i thirrur ato para se t’i mbarojë mandati në korrik dhe në afat të shkurtër kohor.

Pse vendosi UEFA t’ia shfuqizojë pezullimin Ademit?

Më 5 korrik të vitit 2019, Ademi ishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentativë. Rreth 7 muaj më vonë, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e mësipërm duke e shpallur fajtor Ademin për detyrim në tentativë.

Por ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Supreme në gusht të vitit 2020, e cila urdhëroi që gjykimi për këtë rast të nisë nga fillimi, pra nga shkalla e parë.

Pas këtij vendimi të Supremes, UEFA vendosi t’ia shfuqizojë pezullimin mbi dyvjeçar Ademit, duke qenë se ai nuk ishte më i dënuar. Por kjo nuk nënkupton se Ademi është i pastër në këtë rast, pasi aktakuza ndaj tij mbetet në fuqi dhe ai do të gjykohet sërish.

FAKT: Gjykata Supreme nuk e ka vërtetuar pafajësinë e të akuzuarit Agim Ademi dhe as nuk e ka liruar nga akuzat të akuzuarin Agim Ademi, por ka kthyer rastin në rigjykim shkallës së parë, Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ademi akuzohet se ka kryer veprën penale në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator 2012. Ai nuk ishte president i FFK-së në kohën kur dyshohet ta ketë kryer veprën penale.

Rigjykimi ndaj Ademit pritet t'i nisë në maj.

Në bazë të aktakuzës Ademi dhe një person tjetër, Muhamet Rama akuzohen se “në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit”.

Pika e dytë e aktakuzës ndaj tyre nënvizon “të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMË X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Lajme të ngjashme