Pse gjyqtari anësor shpërtheu në lot pas përfundimit të përballjes në Ligë të Kampionëve?
Trajneri i Leipzig, Marco Rose, ka zbuluar arsyen se pse gjyqtari anësor, Alessandro Giallatini, shpërtheu në lot, pas fitores së Aston Villës 3:2 ndaj Leipzig në Ligë të Kampionëve.
Giallatini u pa duke qarë dhe duke ndarë një moment me Rosen, ndërsa të dy skuadrat dhe trajnerët po shtrëngonin duart në Gjermani. Zyrtari italian kishte mbikëqyrur ndeshjen e tij të fundit, që ishte fitorja e Aston Villas në Ligën e Kampionëve, pasi gjuajtja e devijuar nga Ross Barkley e çoi skuadrën e Unai Emery në vendin e tretë në tabelë dhe në rrugën e kualifikimit automatik në 1/8 e finales.

John McGinn hapi rezultatin në minutën e tretë të lojës, duke përfunduar një aksion të shkëlqyer nga Aston Villa.
Jhon Duran riktheu epërsinë e Villas në pjesën e dytë pasi Lois Openda përfitoi plotësisht nga një gabim në mbrojtje në gjysmë të pjesës së parë për të barazuar rezultatin. Pasi Christopher Baumgartner barazoi sërish për Leipzig, Barkley erdhi nga pankina për të shënuar golin e fitores me një devijim.
Ishte fitorja e katërt e Villa nga gjashtë ndeshjet e Ligës së Kampionëve, por ndërsa kamerat televizive xhironin në fushë, pamjet treguan Giallatinin në lot.
Kjo sepse ndeshja e së martës shënoi ndeshjen e fundit të 49-vjeçarit si gjyqtar anësor. Pikat kryesore të karrierës së Giallatinit përfshijnë punën në finalen e Ligës së Kampionëve 2020 midis Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain.

“Ishte ndeshja e tij e fundit, prandaj ai ishte shumë emocional”, konfirmoi Rose në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes. "Shpresoj që ai të mos ishte i mërzitur dhe më i lumtur për atë që bëri në jetën e tij dhe atë që arriti si gjyqtar. Një histori e bukur, një histori njerëzore."