Provokimi i turpshëm: Crvena Zvezda tentoi propagandë anti-Kosovë, policia gjermane ndërhyri ashpër
Një skandal i rëndë ndodhi mbrëmë në Berlin gjatë ndeshjes së EuroLeague mes Alba Berlinit dhe Crvena Zvezdës, ku tifozët serbë tentuan të shpërndanin propagandë anti-Kosovë në palestër.
Gjatë ndeshjes, tifozët e Crvena Zvezdës shpalosën flamuj që paraqisnin Kosovën si pjesë të Serbisë, një akt provokues dhe politik që bie ndesh me rregullat e kompeticioneve sportive. Policia gjermane reagoi menjëherë, duke ndërhyrë për të larguar flamujt skandalozë dhe duke ndalur përpjekjet e tifozëve serbë për të vazhduar me provokimet.

Edhe pse tifozët e Crvena Zvezdës tentuan ta shpalosin përsëri flamurin, autoritetet gjermane e bënë të qartë se vendimi ishte i prerë: ose flamuri largohej, ose tifozët dëboheshin nga arena. Ky veprim tregoi edhe një herë se propaganda serbe nuk gjen vend në ngjarjet ndërkombëtare sportive dhe se rregullat e organizimit nuk lejojnë mesazhe të tilla nacionaliste dhe nxitëse.

Crvena Zvezda arriti të fitojë ndeshjen me shifrat 71-77, por skandali i shkaktuar nga tifozët e saj errësoi krejtësisht rezultatin sportiv. Ky incident shënon një tjetër tentativë të klubit serb për të përdorur sportin si mjet propagande, diçka që po ndodh gjithnjë e më shpesh në arenën ndërkombëtare.