Prokuroria kërkon dënim me pikë për Juventusin
Prokurori i Federatës së Futbollit të Italisë ka kërkuar zyrtarisht që Juventusi të dënohet me heqjen e nëntë pikëve dhe që ish-drejtuesit e klubit bardhezi, Andrea Agnelli, Fabio Paratici dhe Federico Cherubini, të pezullohet nga futbolli.
Gjykimi i dytë sportiv kundër Juventusit dhe disa klubeve të tjera të Serie A nën dyshimet për parregullsi financiare po mbahet në Romë.
Mëngjesin e sotëm, prokurori i FIGAC, Giuseppe Chine, kërkoi që Juventusi të dënohet me heqjen e nëntë pikëve.
Sipas mediave italiane, dënimi do të vlente për këtë sezon dhe, nëse Juve shpallet fajtore, atëherë ajo do të ketë të drejtë të bëjë ankesë në gjykatën e arbitrazhit sportiv në Komitetin Kombëtar Olimpik të Italisë.
Juventusi dhe 10 klube të tjera të Serie A u shpallën të pafajshme për akuzat për fryrje të vlerave të transferimeve në gjykimin e parë sportiv në prill 2022.
Megjithatë, një rast i ri u hap pas një hetimi kriminal ndaj financave të Juventusit, i kryer nga Prokuroria e Torinos, i cili zbardhi prova të reja kundër bardhezinjve dhe klubeve të tjera: Sampdoria, Empoli, Genoa, Parma, Pisa, Pescara, Pro Vercelli dhe Novara.
Juventusi duket të jetë në telashe jo vetëm për dyshimet se i ka fryrë vlerat e shit-blerjes së lojtarëve, por edhe pse dyshohet se pagoi rroga fshehurazi gjatë pandemisë.
Prokurori kërkoi që ish-presidenti i Juves, Andrea Agnelli të pezullohet nga futbolli për 16 muaj, ish-drejtori sportiv Fabio Paratici me 20 muaj e 10 ditë, ndërsa Federico Cherubini dhe anëtarët e tjerë të bordit të Juventusit, përfshirë ish-zëvendëspresidenti Pavel Nedved me nga 10 muaj.

