Prokuroria e Prishtinës njofton se po merret me dyshimet për kurdisjen e ndeshjeve
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se është duke u marrë me dyshimet për kurdisjen e ndeshjeve në futbollin kosovar, duke mos dhënë hollësi shtesë.
Mediat franceze tronditën futbollin kosovar të enjten vonë kur raportuan se dy herë fituesi i Kupës së Kosovës dhe njëri prej klubeve kryesore në elitë, Llapi, dyshohet për kurdisjen e ndeshjeve, raporton Gazeta Nacionale.
Llapi dyshohet se i ka kurdisur katër ndeshje nga të cilat ka përfituar vetë dhe kanë përfituar edhe njerëz në Francë, për çfarë edhe u arrestuan nëntë persona këtë javë.
Në një njoftim për media, Prokuroria e Prishtinës tha: “Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilën gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë”.
Le Parisien dhe Le Figaro raportuan dje se nëntë persona janë arrestuar, në mesin e tyre katër kosovarë, në Francë së fundmi, nën dyshimin për përfshirje në katër ndeshje të kurdisura në futbollin kosovar.
Llapi i ka mohuar akuzat për kurdisje.
Sipas gazetës franceze, një grup prej 10 personash të moshës 22 deri 50 vjeçare janë të përfshirë në skandalin për ndeshje të ndrequra për skuadrën e Llapit nga Podujeva. Sipas tyre në këtë skandal të përfshirë janë anëtarët e stafit drejtues, teknik dhe disa lojtarë.
Ata, pjesëtarë të komunitetit kosovar me seli në Francë, më pas shfrytëzuan rastin për të vënë baste shuma të mëdha në faqen e Française des jeux. Shuma e fitimeve të realizuara në këtë mënyrë gjatë vitit 2022 do të arrinte në të paktën 360,000 euro.

