Prishtina triumfon ndaj Ballkanit, fiton Superkupën e Kosovës për herë të 11-të në historinë e klubit
Klubi më i trofeshëm kosovar, FC Prishtina, sot ka rrëmbyer edhe një çmim, atë të Superkupës së Kosovës, duke mposhtur Ballkanin në finale me rezultat 2:1, në përballjen që u zhvillua në Turqi.
Tashmë siç është bërë traditë, Superkupa e Kosovës organizohet në Turqi, atje ku skuadrat në këtë kohë kryejnë përgatitjet e fundit për fillimin e gjysmësezonit të dytë.
Kryeqytetasit e nisën mbarë vitin 2024, duke fituar një trofe fal dy golave të shënuar nga Egzon Sinani e Leotrim Kryeziu, respektivisht.
Sinani e çoi Prishtinën në epërsi qysh në minutën e nëntë, për rezultatin 1:0.
Ndeshja e Superkupës së Kosovës u zhvillua në kushte të tmerrshme, kur dihet se u luajt pa sistemin VAR dhe nga skuadra e Prishtinës pati ankesa gjatë 45 minutave të para për penallti.
Me të filluar pjesa e dytë, në aksionin e parë, Leotrim Kryeziu me kokë shënoi për rezultatin 2:0.
Ilir Daja filloi me ndryshime, pasi ishte i pakënaqur me lojën e skuadrës së tij deri në ato momente, dhe zëvendësimet dhanë sado pak fryt.
Ishte Sulmuesi Krenas Dulaj që ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 79-të, pesë minuta pasi hyri në fushë.
Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim në rezultat dhe si rrjedhojë Prishtina e fitoi Superkupën e Kosovës për herë të 11-të në histori të klubit.