Prishtina në gjysmëfinale pas fitores kundër Ballkanit me 10 lojtarë në vazhdime - NACIONALE

Prishtina në gjysmëfinale pas fitores kundër Ballkanit me 10 lojtarë në vazhdime

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Prishtina e ka mposhtur 2:1 në vazhdime Ballkanin me 10 futbollistë, për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës të mërkurën.

Besnik Krasniqi shënoi në vazhdime kundër ish-klubit të vet për ta dërguar kampionen e Kosovës në gjysmëfinale të kupës, pasi ndeshja e rregullt kishte mbaruar baras 1:1 me golat e Qëndrim Zybës dhe Blendi Baftiut.

Ballkani luajti me një lojtar më pak për më shumë se 30 minuta, pasi zëvendësuesi Albion Rrahmani u përjashtua nga loja pak para vazhdimeve.

Prishtina, Llapit dhe Dritës e siguruan gjysmëfinalen sot dhe atyre do t’iu bashkohet njëra mes KEK-ut dhe Ramiz Sadikut, të cilat takohen nesër në çerekfinalen e fundit.

Qëndrim Zyba e kaloi klubin kryeqytetas në epërsi në mundësinë e parë në minutën e 24-të.

Ballkani bëri përpjekje për ta barazuar rezultatin në pjesën e parë, Nazmi Gripshi i lëshoi tri mundësi të mira për ta bërë këtë, duke gjuajtur dy herë jashtë portës, ndërsa goditja tjetër e tij u prit nga portieri Eglant Haxho.

Blendi Baftiu pati rast të mirë shënimi për ta barazuar rezultatin kur akrepat shënuan një orë lojë në Suharekë, por Haxho e ndali edhe goditjen e tij.

Megjithatë, sulmuesi i talentuar Baftiu ia doli ta mposhtë Haxhon në minutën e 65-të, duke e futur topin në rrjetë me një goditje me kokë pas harkimit të Armend Thaqit.

Leotrim Kryeziu e lëshoi një mundësi për ta kthyer epërsinë e Prishtinës, pasi goditja e tij u prit nga portieri Stivi Frashëri.

Çasti vendimtar i ndeshjes ndodhi pesë minuta parafundit të takimit, kur Albion Rrahamni u përjashtua nga loja me lot në sy, pasi i mori dy karton të verdhë brenda dy minutave.

Ai ishte futur në lojë vetëm katër minuta më herët nga banka rezervë.

Armend Thaqi mendoi se ia kishte siguruar gjysmëfinalen liderit të Superligës, kur ia doli ta mposhtë Haxhon në minutën e 90-të, por goli i tij u shfuqizua për pozitë jashtë loje pas rishikimit në VAR.

Koha e rregullt u mbyll baras 1:1 dhe ndeshja shkoi në vazhdime prej 30 minutave.

Mungesa e një lojtari në fushë për Ballkanin filloi të ndikojë në lojë dhe bardhekaltrit filluan të krijojnë më shumë.

Besnik Krasniqi e ktheu epërsinë e Prishtinës duke shënuar në minutën e 96-të, pas një asisti nga Gauthier Mankenda.

Thaqi ishte afër ta kthente Ballkanin në lojë sërish, por goditjen e tij nga gjuajta e lirë e mbrojti Haxho në minutën e 112-të.

Ballkani ishte i pafuqishëm ta shmangë eliminimin në minutat e fundit të shtesës dhe Theophilus Solomon një minutë para fundit.

Dyshja e Prishtinës Sadam Sulley dhe Erando Karabeci u përjashtuan nga loja në kohën shtesë në vazhdime, pas kartonëve të dytë të verdhë.

Lajme të ngjashme